Qeveria në reformën sociale dhe në reformën e mbrojtjes së fëmijëve parashikon shtesa fëmijërore dhe arsimore për një grup më të madh në Maqedoni me qëllim që drejtëpërdrejtë të ndikojmë në zvogëlimin e varfërisë.
Këtë sot e deklaroi ministrja e Punës dhe Politikës Sociale Milla Carovska para fillimit të konferencës për varfëri të fëmijëve, e cila tha se në Republikën e Maqedonisë çdo i katërti fëmijë është i varfër, ndërsa një në 300 fëmijë nga familje të varfra shkojnë në kopsht. Vetëm dy e treta e fëmijëve nga familjet e varfra shkojnë në shkollë të mesme.
“Deri më tani më shumë se 3.500 fëmijë kanë marrë shtesa fëmijërore dhe arsimore. Kjo është pothuajse asgjë. Por, tani më shumë se 60.000 fëmijë do t’i marrin këto dy shtesa dhe ky është hap i madh përpara në luftën kundër varfërisë së fëmijëve”, tha Carovska.
Ajo theksoi se varfëria e fëmijëve nuk është çështje e një institucioni, por është çështje e tërë shoqërisë sonë dhe u bën thirrje të gjithë qytetarëve t’i përkrahin reformat, nga aspekti i mbrojtjes së fëmijëve dhe ai social.
Përfaqësuesi i UNICEF-it Benxhamin Perks deklaroi se që ta parandalojnë ciklin mes gjeneratave të varfërisë e përkrahin Qeverinë në tre sfera kyçe.
“Sfera e parë është reforma thelbësore e sistemit për mbrojtje sociale dhe prek deri te të gjithë personat të cilët kanë nevojë nga ajo dhe do t’u ndihmojë vetë të tërhiqen nga varfëria. Sfera e dytë është kahëzuar drejt ngritjes për 50 për qind të atyre fëmijëve të cilët nuk shkojnë në kopshte dhe të fillojnë të shkojnë, me fokus të fëmijëve të cilët jetojnë në kushte të varfra. Sfera e tretë është bashkëpunimi me sektorin shëndetësor dhe sektorin për mbrojtje sociale në dhënien e përkrahjes së prindërve për ndërtimin e strategjive prindërore me të cilat do t’i inkurajojnë dhe do t’u ndihmojnë fëmijëve të tyre të zhvillohen dhe më shpejtë të dalin nga varfëria”, tha Perks.
Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve nëse vlera prej 55 euro është e mjaftueshme që t’u ndihmohet fëmijëve të cilët veçmë janë të varfër, Perks tha se këto të ardhura, ndihma sociale dhe ndihma në para nuk janë të mjaftueshme që të nxirret familja nga varfëria. Duhet të investohet në arsim, në krijimin e vendeve të reja të punës, në investime të huaja që të mundësohet ekzistimi i tyre i pavarur dhe nxjerrja nga varfëria.
Drejtori i zyrave të Bankës Botërore për Kosovë dhe Maqedoni Marko Mantovaneli deklaroi se janë të kënaqur që janë partnerë të Qeverisë në trajtimin e varfërisë së fëmijëve dhe mirëqenies fëmijërore.
Në konferencë kompetentët do të debatojnë nga aspekti profesional, me konsultues vendor dhe ndërkombëtar. (MIA)