Kategoritë

SHËRBIM MPB: Njeriu i parë i Alfave automjetin e ka 24 orë në dispozicion

Ministria e Punëve të Brendshme është e informuar për lëvizjen e shefit të Njësitit për reagim dhe intervenim të parë – ALFA, Primisllav Dimovski dhe për mënyrën me të cilën e ka përdorur automjetin zyrtar. Njeriu i parë i Alfave automjetin e ka përdorur vetëm për qëllime zyrtare, ndërsa ai në pajtueshmëri me rregulloren ka të drejtë që të njëjtin ta përdorë 24 orë.

Kjo thuhet në kumtesën e sotme të MPB-së, pasi një pjesë e mediave dolën me shkrime se njeriu i parë i Alfave fundjavën e kaluar me automobil zyrtar “shkoda” ka qëndruar në Ohër, ku gjoja është dashur të marrë pjesë në dasmë tek vajza e një miku të tij.

“Primisllav Dimovski – shef i Njësitit për reagim dhe intervenim  të parë – ALFA në pajtueshmëri të Urdhrit, ndërsa lidhur me Rregulloren për sistemim, përdorim, mirëmbajtje dhe ripërtëritje të automjeteve të Ministrisë së Punëve të Brendshme ka të drejtë për përdorim 24 orë të automjetit zyrtar”, thuhet në kumtesë.

MPB, shtohet në kumtesë, është e njoftuar me lëvizjen dhe përdorimin e automjetit në rastin e theksuar nga ana e shefit dhe informojmë se e njëjta është bërë për shkak të kryerjes së detyrave zyrtare. (MIA)