Rritja rekorde industriale prej 12,1 për qind në qershor të vitit 2018, konfirmon se ekonomia po lëviz në linjë të rritjes, kumton Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë.
“Plani për rritje ekonomike dhe masat të cilat i ndërmerr Qeveria e kryesuar nga LSDM-ja vazhdojnë të korin suksese, ndërsa për këtë flasin edhe numrat të cilat lëvizin në linjë të rritjes.
Sipas të dhënave zyrtare, rritja industriale në muajin qershor shënon rritje prej 12,1 për qind në raport me muajin e njëjtë të vitit 2017, që njëkohësisht është rritje rekorde industriale e shënuar deri tani. Njëkohësisht, rritja e përgjithshme industriale për gjysmën e parë të vitit 2018 është për 5 për qind më të lartë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2017.
Rritja në energjetikë prej 12,3 për qind, në prodhimet kapitale prej 34,2 për qind, në prodhimet për konsum të gjerë prej 20,1 për qind dhe në prodhimtarinë e tekstilit prej 13,8 për qind, janë tregues se Qeveria po zbaton masa efikase, stabile në afat të gjatë dhe me to janë përfshirë të gjitha degët industriale.
Rezultatet e këtilla pozitive të rritjes në industri mundësojnë trend pozitiv ekonomik, që njëkohësisht është përcjellur edhe me rritjen e parametrave tjerë ekonomik, siç është rritja e pagës mesatare në 24.509 denarë, si dhe rritja e eksportit prej 14,1 për qind për gjysmën e parë të këtij viti.
Përmes strategjisë së menduar mirë, pa shpenzime joproduktive, me projekte të krijuara mirë, përmes ligjit për mbështetje financiare përfshirë me të gjitha masat nga tre shtyllat, përmes zvogëlimit të borxhit publik dhe shtetëror, Qeveria e udhëhequr nga LSDM-ja e stabilizoi dhe e ktheu besimin në ekonominë e Maqedonisë.
Qeveria e udhëhequr nga LSDM-ja vazhdon me strategjinë e vendosur ekonomike që siguron shtet ekonomik stabil dhe të zhvilluar me standard më të mirë jetësor. Procesi i tillë, përveç se në masat e suksesshme ekonomike, edhe më shumë do të intensifikohet me hyrjen e Maqedonisë në NATO dhe me fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE. (MIA)