Kuvendi i Republikës së Maqedonisë sot duhet ta ratifikojë marrëveshjen me Greqinë në suaza të seancës së 51-të.
Shefi i diplomacisë Nikolla Dimitrov në seancën kuvendore e cila filloi dje tha se Greqia në përputhje me marrëveshjen, pas ratifikimit në Kuvendin e Maqedonisë ka për detyrë të informojë kryetarin e Këshillit Evropian, Donald Tusk se jep mbështetje për fillim të anëtarësimit në BE dhe të informojë sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg se e mbështet ftesën për në NATO.
“Këshilli i qershorit është përpara nesh, ministrat për punë të jashtme të vendeve anëtare do të takohen më 25 dhe 26 qershor, ndërsa Samiti është më 28 qershor. Këtë data janë kyçe për perspektivën evropiane të vendit dhe varen nga ratifikimi i marrëveshjes. Për të arritur këto rezultate propozojmë që Kuvendi të vendos ligji të sillet me procedurë të shkurtër. Me ratifikimin hapet mundësia që qytetarët të prononcohen për të ardhmen e tyre në referendumin i cili do të mbahet në vjeshtë”, tha Dimitrov.
Pas ratifikimit nga ana e Kuvendit marrëveshja duhet të dërgohet deri te presidenti Ivanov, i cili ka afat prej shtatë ditësh ta firmosë.
Presidenti i shtetit në fjalimin e tij të mëparshëm tha se nuk do ta përkrahë as do ta nënshkruajë marrëveshjen për kontestin me emrin, e cila sipas tij është e dëmshme.
Përderisa Ivanov e përdor të drejtën e vetos, marrëveshja sërish shkon në procedurë kuvendore, por atëherë do të duhet të votohet me shumicë absolute, 61 deputetë duhet të votojnë “për”. Marrëveshja në atë rast sërish dërgohet deri te presidenti, i cili sipas Kushtetutës është i obliguar ta firmosë.
Kuvendi dje e filloi procedurën e ratifikimit të marrëveshjes, e cila sillet me procedurë të shkurtuar dhe me flamur evropian. Pas konstatimit të nevojës për sjelljen e tij me 69 vota “për” dhe “40” kundër, u mbajtën seanca të Komisionit për çështje evropiane dhe komisioni juridik-ligjdhënës.
Kundër marrëveshjes ka votuar VMRO-DPMNE-ja opozitare deputetët e së cilës e braktisën punën e Kuvendit për këtë çështje prejse nuk ishin pranuar vërejtjet e tyre se marrëveshja duhet të shqyrtohet në Komisionin e punëve të jashtme, ku kryetar është ish ministri i Punëve të Jashtme dhe deputet i kësaj partie Antonio Milloshovski. Ato janë kundër ndërrimit të Kushtetutës për ndryshim të emrit kushtetues, që parashihet me marrëveshjen.
Koordinuesi i grupit të deputetëve të VMRO-DPMNE-së, Dragan Danev deklaroi se marrëveshja është e njëanshme, paraqet kapitulim për shtetin dhe gjenocid për popullin e Maqedonisë. Sipas tij, imponohet emër i ri i shtetit dhe shkelet Kushtetuta, me atë që është pranuar të shfrytëzohet për përdorim të brendshëm. Ai e akuzoi Xhaferin se “e shkel rregulloren kuvendore, ligjet dhe Kushtetutën”.
Ministri Dimitrov pati fjalim edhe para anëtarëve të Komisionit për çështje evropiane.
“Marrëveshja për emrin me Greqinë është kompromis, me të cilin edhe ne edhe miqtë tanë grekë insistojmë gjatë tërë këtyre muajve ta ruajmë atë që e kemi më të rëndësishme. Ne nga ana jonë tentuam dhe arritëm ta ruajmë identitetin dhe të gjitha atributet e popullit të Maqedonisë, ndërsa Greqia tentoi të fitojë distinksion mes Maqedonisë – shtet dhe Maqedonisë – rajonit në Greqi. Ky është thelbi i kësaj marrëveshje, theksoi Dimitrov i cili është nënshkrues i marrëveshjes nga ana e Maqedonisë.
Këto ditë, sipas tij, janë historike për Maqedoninë, ndërsa teksti i marrëveshjes për të është përgjegjësi, patriotizëm dhe guxim.
Duke folur për nenin thelbësor 1 të Marrëveshjes, ministri i Punëve të Jashtme theksoi se parasheh që emri zyrtar i shtetit të jetë Republika Maqedonia Veriore apo shkurtimisht Maqedonia Veriore.
“A do të thotë kjo ndryshim apo do të thotë shtim i përcaktuesit para esencës kryesore të emrit Maqedoni? Veriore është përcaktim gjeografik. Veriore është mbiemër”, tha Dimitrov. Shtetësia do të jetë e Maqedonisë apo qytetarë të Republikës së Maqedonisë Veriore. Gjuha zyrtare do të jetë gjuha maqedonase”, shtoi ai.
Sipas ministrit Dimitrov, në drejtim të pajtimit dhe unitetit brenda, me rëndësi është të pranohet se “edhe ata që kanë pikëpamje tjetër ndaj këtij momenti historik dhe udhëkryqi historik, gjithashtu janë patriotë që shohin ndryshe ndaj gjërave”. Ndoshta nuk janë, theksoi ai, plotësisht të vetëdijshëm për investimin dhe për të ardhmen, ndoshta ka edhe informim të pamjaftueshëm.
“Mendoj se me është me rëndësi për këtë debat për këtë çështje kaq të rëndësishme të pranojmë se të gjithë e duam Maqedoninë tonë dhe të gjithë dëshirojmë të kemi sukses dhe të gjithë dëshirojmë ta ruajmë identitetin dhe t’i hapim dyert e të ardhmes sonë për shkak të gjeneratave të ardhshme pa dallim që ndoshta shohim ndryshe”, tha ministri i Punëve të Jashtme.
Para ndërtesës së Parlamentit paralelisht me fillimin e seancës u mbajtën edhe protesta të qytetarëve të cilët janë kundër sjelljes së marrëveshjes për kontestin me emrin.
Realizimi etapor i marrëveshjes
Propozim – ligji për ratifikim të Marrëveshjes përfundimtare për zgjidhjen e dallimit, siç është përshkruar në rezolutat e Këshillit për siguri të Kombeve të Bashkuara 817 (1993) dhe 845 (1993), ndërprerja e Marrëveshjes kohore nga viti 1995 dhe vendosja e partneritetit strategjik ndërmjet dy palëve,ishte miratuar të hënën në seancën qeveritare.
Marrëveshjen për zgjidhjen e kontestit për emrin ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë e nënshkruan ministrat e Punëve të Jashtme të të dyja shteteve Nikolla Dimitrov dhe Nikos Koxias të dielën në Psarades, në anën greke të Liqenit të Prespës. Në nënshkrimin morën pjesë edhe kryeministrat Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras, ndërmjetësuesi i KB-së për kontestin me emrin Methju Nimic, nënsekretarja për Çështje Politike të Organizatës Botërore Rozmari Di Karlo, përfaqësuesja e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri Federika Mogerini dhe komisari për politikë fqinjësore Evropiane dhe bisedime për zgjerim të BE-së Johanes Han.
Zbatimi i marrëveshjes do të ndodhë në mënyrë etapore. Do të hyjë në fuqi pasi të dyja palët do ta pranojnë konform procedurave të brendshme. Por, nëse cilado qoftë nga palët nuk e pranon marrëveshja konform procedurave të brendshme kjo do të thotë se marrëveshja nuk vlen.
Për marrëveshjen, fjalën përfundimtare do ta kenë qytetarët e Maqedonisë në referendum, i cili duhet të mbahet në shtator apo tetor.
Kryeministri Zoran Zaev mbrëmë në emisionin ” E vërteta” në Televizionin Kanal 5 tha se beson se populli ynë do të sjellë vendim të matur.
“Lidhëm marrëveshje, nuk ishte lehtë të arrihet kjo. Tani e kanë mundësinë qytetarët, të deklarohen definitivisht në referendum. Unë jam i bindur se shumica e madhe do t’i mbështesë këto perspektiva të cilat janë shumë afër Maqedonisë”, tha Zaev.
Kryeministri pohon se rezultati nga referendumi do të jetë obligues pa dallim se a do të jetë detyrues ose konsultativ.
“Kjo nënkupton se nëse shumica e qytetarëve është “për” atëherë marrëveshja është e vlefshme, nëse shumica është “kundër” atëherë nuk vlen as ratifikimi i marrëveshjes e as emri për të cilin janë marrë vesh”, precizon Zaev.
Burimi: