Qeveria e Republikës së Maqedonisë në seancën e sotme të 74-t e shqyrtoi dhe miratoi Propozim-ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes përfundimtare për zgjidhjen e dallimit siç është përshkruar në rezolutat e Këshillit për Siguri të Kombeve të Bashkuara 817 (1993) dhe 845 (1993), ndërprerja e Marrëveshjes së përkohshme nga viti 1995 dhe vendosje e partneritetit strategjik midis palëve, në propozim të Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Propozim-ligji për ratifikim do të dorëzohet deri te Kuvendi i Republikës së Maqedonisë, kumtoi pres shërbimi qeveritar.
Sipas dinamikës së paraparë, pasi do të dërgohet në Kuvend ku deputetët duhet të votojnë dhe ta miratojnë me shumicë të thjeshtë, gjegjësisht me shumicë nga deputetët e pranishëm. Kuorumi minimal për punën e shtëpisë ligjdhënëse është 61 deputetë, që do të thotë se 31 deputetë duhet të votojnë “për”, që marrëveshjen të ratifikohet.
Pastaj pason dërgimi deri presidenti Ivanov, i cili ka afat prej shtatë ditëve ta firmosë. Nëse Ivanov e përdor të drejtën e vetos, marrëveshja sërish shkon në procedurë kuvendore, por atëherë patjetër të votohet me shumicë absolute , 61 deputetë duhet të votojnë “për”. Marrëveshja në këtë rast, sërish dërgohet deri te presidenti, i cili sipas Kushtetutës është i obliguar ta firmosë.
Zbatimi i marrëveshjes do të ndodhë në mënyrë etapore. Do të hyjë në fuqi pasi të dyja palët do ta pranojnë konform procedurave të brendshme. Por, nëse cilado qoftë nga palët nuk e pranon marrëveshja konform procedurave të brendshme kjo do të thotë se marrëveshja nuk vlen.
Për marrëveshjen, fjalën përfundimtare do ta kenë qytetarët e Maqedonisë në referendum, i cili duhet të mbahet në shtator apo tetor.
Maqedonia, sipas të dakorduarës, deri në fund të vitit do të duhet të miratojë edhe amendamente të Kushtetutës.
Me Marrëveshjen për zgjidhjen e kontestit të Maqedonisë dhe Greqisë për emrin dhe partneritet strategjik që dje në Prespë e nënshkruan ministrat e punëve të jashtme të Maqedonisë dhe Greqisë, Nikolla Dimitrov dhe Nikos Koxias, emri zyrtar i shtetit do të jetë Republika e Maqedonisë së Veriut apo Maqedonia Veriore (emër i shkurtuar).
Me marrëveshjen njihet – gjuha maqedonase, një pjesë e grupit të gjuhëve jugosllave. Për shtetësinë është paraparë: Maqedonase/qytetar i Republikës së Maqedonisë së Veriut – në të gjitha dokumentet për udhëtim.
Greqia duhet ta ratifikojë Marrëveshjen në Parlament. Greqia obligohet të mos ketë ankesa për kërkesat për anëtarësim të Maqedonisë në organizatat ose institucionet ndërkombëtare, multilaterale ose rajonale, ku është anëtare Greqia.
Maqedonia do të kërkojë pranim në organizatat dhe institucionet ndërkombëtare, multilaterale dhe rajonale me emrin Republika e Maqedonisë së Veriut.
Greqia do ta njoftojë kryetarin e Këshillit të BE-së se jep përkrahje për fillim të negociatave për anëtarësim të Maqedonisë. Greqia do ta njofotjë sekretarin e përgjithshëm të NATO-s se jep përkrahje që NATO-ja t’i dërgojë ftesë Maqedonisë për inkuadrim. Përkrahja e tillë e Greqisë është e kushtëzuar, me epilogun nga referendumi, nëse Maqedonia vendos të mbahet referendum.
Të dy palët me Marrëveshjen e nënshkruar, pranojnë se kuptimi i tyre për terminet “Maqedoni” dhe “maqedonas” kanë të bëjnë me kontekst të ndryshëm historik dhe trashëgimi kulturore.
Për Greqinë – ato terme nënkuptojnë jo vetëm rajonin dhe popullin në rajonin verior të Greqisë, por edhe tiparet e tyre, si dhe civilizimin helen nga antika e deri sot. Për Maqedoninë – këto terme nënkuptojnë territorin e tyre, gjuhën, popullin dhe tiparet e tyre, me historinë, kulturën dhe trashëgiminë e saj.
Në afat prej gjashtë muajve Maqedonia do ta rishqyrtojë statusin me përmendoret, ndërtesat publike dhe infrastrukturën e territorit të saj dhe në çoftë se të njëjtat në njëfarë mënyre na dërgojnë në historinë dhe civilizimin antik helen, që paraqet pjesë përbërëse e trashëgimisë historike dhe kulturore të Greqisë, do të ndërmarrë veprime përkatëse korrektuese me qëllim që në mënyrë efektive ta shqyrtojë çështjen dhe të sigurojë respektim të trashëgimisë së tillë.
Në afat prej një muaji palët nëpërmjet shkëmbimit të notave diplomatike, në bazë të barabartë, do të formojnë Komitet të përbashkët interdisiplinar të ekspertëve për çështje historike, arkeologjike dhe arsimore, i cili do ta shqyrtojë interpretimin objektiv shkencor të ngjarjeve historike në bazë të dëshmive autentike dhe burimeve shkencore historike dhe gjetjeve arkeologjike.
Palët pajtohen që bashkëpunimi i tyre strategjik t’i përfshijë të gjitha sektorët, siç janë bujqësia, siguria civile, mbrojtja, ekonomia, energjia, mjedisi jetësor, industria, infrastruktura, investimet, marrëdhëniet politike, turizmit, tregtisë, bashkëpunimi ndërkufitar dhe transporti.
Pas hyrjes në fuqi – Greqia e ngrit nivelin e Zyrës për lidhje në Shkup në nivel të Ambasadës dhe anasjelltas.
Palët më tutje do ta zhvillojnë bashkëpunimin e tyre ekonomik në të gjitha sferat. Fokus i veçantë do të vendoset në përforcimin dhe thellimin e bashkëpunimit të tyre bilateral në lëminë e bujqësisë, energjisë, mjedisit jetësor, industrisë, infrastrukturës, investimeve, turizmit, tregtisë dhe transportit.
Me Marrëveshjen është paraparë që të gjitha kontestet të zgjidhen vetëm me mjete paqësore, në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara. (MIA)