Kryeministri Zoran Zaev pret që në muajin korrik Maqedonia të marrë ftesë për hyrje në NATO. Për vete thotë se është optimist i palodhshëm, por potencon edhe se të gjithë duhet të orientohen ndaj gjetjes së zgjidhjes për kontestin me emrin me Greqinë. Nga ana tjetër, sondazhi i fundit i bërë atje tregon se një prej dy grekëve mendon se tani duhet të arrihet zgjidhje.
Optimizmin e tij kryeministri e shprehu në intervistën për magazinën CorD, e cila botohet në Beograd, ndërsa për lexuesit e saj i ka përfaqësuesit e korit diplomatik në vendet e rajonit.
“Nëse orientohemi të gjithë drejt zgjidhjes, viti 2018 mund të jetë vit për t’u mbajtur mbajtur mend edhe për Republikën e Maqedonisë, por edhe për rajonin edhe për BE-në edhe për NATO-n. Prandaj, jam optimist i palodhshëm dhe pres në korrik ftesë për hyrjen e Maqedonisë në NATO”, theksoi kryeministri Zoran Zaev në intervistë.
Në pyetjen nëse ndryshimet e Ballkanit Perëndimor e bëjnë faktor të stabilitetit në rajon ose është ende rajon që prodhon kriza, Zaev potencoi se Ballkani Perëndimor u shpreh se mund të ketë udhëheqësi të sinqerta, energjike dhe të përkushtuar politike, të cilët dëshirojnë, mund dhe dinë të vlerësojnë se çka është e nevojshme për qytetarët e vet, por edhe më gjerë dhe janë të gatshëm, pa kalkulime, t’i vendosin shtetet në rrugën e duhur.
“Nëse ndonjëherë Ballkani Perëndimor ka qenë i fortë në pikëpamjet e tij ndaj ardhmërisë së përbashkët, ajo është tani. Ky është një moment shumë i rëndësishëm. I njohim nevojat për lidhje dhe bashkëpunim të ndërsjellë dhe i tregua Evropës se është e plotë, e sigurt dhe stabile vetëm me integrim të plotë të të gjitha shteteve që në mënyrë gjeografike, historike, kulturore i përkasin. jemi faktor i stabilitetit të Evropës, jo të jostabilitetit, nuk ka më dilema. Për tu përshëndetur është që edhe Evropa e njeh atë dhe e shtri dorën drejt Ballkanit Perëndimor”, theksoi kryeministri.
Në pyetjen si do të harmonizohen porositë e volitshme të BE-së për Republikën e Maqedonisë, posaçërisht pas rekomandimit për përcaktimin e datës për negociata, me çështjen e hapur për problemin që Greqia e ka me emrin e vendit tonë, kryeministri Zoran Zaev tha se me vendimin e KE-së për rekomandim kristal të pastër për fillimin e negociatave me BE-në, u konfirmuan politikat e qeverisë aktuale, me të cilat për vetëm 10 muaj janë zhbllokuar procese, të cilat ishin thellë të ngujura për shkak rë sjelljes papërgjegjshme të pushtetit paraprak dhe për shkak të krizës politike.
“Pres që viti 2018 të sjell ndryshime të reja të rëndësishme pozitive në realizimin e qëllimeve strategjike, euro-atlantike të shtetit dhe në cilësinë e jetesës së qytetarëve të Republikës së Maqeodnisë. Bisedat me Republikën e Greqisë i vendosëm në nivel miqësor dhe dinjitoz dhe pritjet e mia çojnë drejt zgjidhjes që sjell ardhmëri të mirë për qytetarët e Maqedonisë dhe Greqisë, por edhe të tërë rajonit”, tha Zaev.
Në pritje të bisedës telefonike Zaev – Cipras dhe harmonizimit të të gjitha çështjeve teknike nga marrëveshja eventuale, televizioni grek “Action24” e publikoi anketën që për të e kanë përpunuar agjencia “Rass”, sipas së cilës pothuajse gjysma e grekëve të anketuar pajtohen se Qeveria greke duhet në këtë moment të synojë drejt arritjes së zgjidhjes për emrin
Në pyetjen “nëse pajtoheni ose jo me mendimin se kushtet për zgjidhjes së çështjes së Shkupit janë më të volitshme dhe qeveria duhet të synojë drejt zgjidhjes së saj tani”, 43,8 për qind e të anketuarve janë përgjigjur se pajtohen, ndërsa 4,5 për qind kanë dhënë përgjigje “me siguri pajtohem”, 40,7 për qind kanë thënë se nuk pajtohen, ndërsa 3,2 për qind se me siguri se nuk pajtohen. Përgjigje nuk kanë dhënë 7,8 për qind.
Sipas analizës së hollësishme të hulumtimit, prej atyre të cilët mbështesin zgjidhje në këtë moment, shumica janë femra (51,9 për qind), të moshës nga 17 deri në 34 vjeç (60,1 për qind), në zgjedhjet e fundit kanë votuar për SYRIZA-n (55,2 për qind), ndërsa banojnë në pjesën jugore të Greqisë (58,9 për qind).
Nga ana tjetër, ata që nuk pajtohen ose me siguri nuk pajtohen me qëndrimin se kushtet janë të volitshme për zgjidhje, janë të moshës nga 35 deri në 44 vjeç (50,3 për qind), shumica janë meshkuj (50,6 për qind), në zgjedhjet e fundit në vitin 2015 kanë votuar për Demokracinë e Re (59,3 për qind), ndërsa jetojnë në veri të Greqisë (48,3 për qind).
Lidhur me skenën politike në Greqi partia opozitare Demokracia e Re edhe më tej është në epërsi para partisë qeveritare SYRIZA me dallim prej 10,3 për qind.
Kryetari i Demokracisë së Re, Kirjakos Micotakis është lideri më i popullarizuar i një partie politike në Greqi, ndërsa lidhur me atë se cili është më adekuat për kryeministër, se nëse ai ose kryeministri aktual Aleksis Cipras, Micotakis ka epërsi prej 10,7 për qind.
Në hulumtimin e agjencisë “Rass” për televizionin grek “Action24”, i realizuar nga 29 deri më 31 maj, janë anketuar 1.002 persona përmes intervistave telefonike. (MIA)