Në Gjykatën Penale sot duhet të mbahen seanca për lëndët e PSP-së “Monstra” dhe “Trajektorja”.
Në seancën për “Monstra” deklaratë para Gjykatës duhet të japin dy të akuzuarit për vrasjen e pesëfishtë tek Liqeni i Smilkovës më 12 prill të vitit 2012.
Në seancën paraprake më shumë se pesë orë deklarata kanë dhënë të akuzuarit, Agim Ismailoviq dhe Fejzi Aziri, i cili në seancë u soll nga burgu i Shtipit, ku po e vuan dënimin me burg për një vepër tjetër penale.
Ismailoviq dhe Aziri para Gjykatës u deklaruan se nuk ndihen fajtorë për këtë rast.
Pas përfundimit të seancës, prokurorja Fatime Fetai deklaroi se është me rëndësi që kjo lëndë fillon nga fillimi dhe se në vijimin e mëtutjeshëm të procesit gjyqësor do të nxirren dëshmitë e vjetra, por gjithashtu do të nxirren edhe dëshmi të reja nga Prokuroria Speciale Publike dhe nga ana e mbrojtjes.
“Si bazë në këtë procedurë duhet të merret aktakuza e mëparshme dhe për këtë arsye nga ana jonë u lexuan dy aktakuza edhe në Prokurorinë Themelore Publike për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsion”, tha Fetai.
Ajo shtoi se nga analiza dhe nga materiali dëshmues do të varen edhe ndryshimet të cilat do t’i bëjë prokuroria edhe në vijimin e mëtutjeshëm të procesit gjyqësor.
“Çdo dëshmi do të jetë lëndë e analizës themelore dhe pastaj do të jepen edhe dëshmi të reja dhe varësisht nga ajo që do të dalë nga ana jonë dhe nga Gjykata do të sillet vendim i drejtë adekuat”, tha Fetai.
Masakra në Liqenin e Smilkovës ka ndodhur më 12 prill të vitit 2012, ku u vranë pesë djem të rinj.
Për vrasjen e pesëfishtë u hap lënda “Monstra”, ndërsa me burg të përjetshëm u dënuan Alil Demir, Afrim dhe Agim Ismailoviq dhe Azim dhe Haki Aziri dhe Sami Luta.
Gjykata Supreme në dhjetor të vitit të kaluar i shfuqizoi gjykimet, i liroi nga paraburgimi të akuzuarit Agim Ismailoviq, Haki Azirin, Sami Lutën dhe Fejzi Azirin dhe u përcaktoi masa sigurie. Për gjykatën ende janë të paqasshëm Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq për të cilët janë shpallur urdhër-arreste ndërkombëtare.
Në Gjykatës sot do të mbahet seancë edhe për rastin “Trajektorja” në të cilin janë të akuzuar katër persona zyrtarë – ish-funksionarë të lartë qeveritarë. Ata dyshohen se në gjysmën e dytë të vitit 2012 dje gjatë vitit 2013 kanë ndërmarrë më shumë veprime me të cilat në procedurën për zgjedhjen e kompanisë për ndërtimin e autostradës Miladinovci – Shtip dhe Kërçovë – Ohër i kanë shfrytëzuar dhe tejkaluar autorizimet e tyre. Ata sipas PSP-së, e kanë dëmtuar buxhetin e shtetit me të paktën 155.177.172 euro dhe për të njëjtën vlerë, kompanisë konstraktuese i kanë mundësuar të përfitojë dobi pronësore.
(MIA)