Zhan Klod Junker dhe Federika Mogerini, duket se e mbështesin nevojën që marrëveshja eventuale për emrin në Parlamentin grek të votohet me shumicë të zgjeruar, shkruan gazeta greke “Avgi”.
Duke iu referuar informacioneve të veta, gazeta, që njihet si zëri i partisë Syriza, pohon se në vend me 151 deputetë Athina ka marrë këshilla dhe rekomandime nga Brukseli të kërkojë 180 deputetë të japin dritë të gjelbër për zgjidhjen eventuale.
“Sipas burimeve të besueshme, Qeveria greke mori rekomandime me qëllim të mirë dhe këshilla të kërkojë që marrëveshja e mundshme për çështjen e Maqedonisë të votohet me shumicë prej 180 deputetëve. Emëruesi i përbashkët i këtyre rekomandimeve është që marrëveshja të ketë qëndrueshmëri dhe stabilitet, të sigurohet legjitimitet i gjerë politik dhe parlamentar. Nevoja për votimin e marrëveshjes me 180 deputetë, me sa duket, është mbështetur nga ana e kryetarit të komisionit Zhan Klod Junker dhe nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme, Federika Mogerini”, shkruan ‘Avgi’ dhe shton se ky qëndrim i Brukselit është për shkak se nuk ka bindje se marrëveshja mes Athinës dhe Shkupit do të ketë ardhmëri dhe perspektivë, veçanërisht për shkak të qëndrimit të opozitës greke dhe për këtë rekomandohet shumicë parlamentare e zgjeruar.
Gazeta pohon se bashkësia ndërkombëtare interesohet, jo vetëm për qëndrimet e qeverive në të dy vendet, por edhe për qëndrimin e forcave të tjera politike në Maqedoni dhe Greqi, njofton korrespondenti i MIA-s nga Athina.
“Sipas burimeve të besueshme, bashkësia ndërkombëtare tregon interes të madh edhe për liderin e opozitës në IRJM, Hrisitian Mickovski, rreth zgjidhjes të çështjes së emrit. Interpretohet qëndrimi i tij i deritanishëm i kujdesshëm edhe përkundër faktit se VMRO edhe më tej është nën kontrollin e nacionalistit, ish-kryeministrit Nikolla Gruevskit. Nga ana tjetër, derisa porositë e njëjta arritën edhe deri te lideri i opozitës greke, Kirjakos Micotakis, tani për tani ai është larg nga i kujdesshëm” shkruan gazeta dhe dërgon kritika ndaj Demokracisë së Re opozitare, sidomos për ndryshimin e qëndrimit pas protestave “mbrojtjen e emrit të Maqedonisë” në Selanik dhe Athinë.
Burime të Komisionit Evropian për televizionin grek “Star”, kanë përgënjeshtruar se nga Athina është kërkuar marrëveshja të votohet me shumicë të zgjeruar dhe kanë përkujtuar në fjalimin e Junkerit në Parlamentin grek, kur tha se Brukseli nuk do të përzihet në kontest, ai mbështet zgjidhje, por nuk është puna e tij të japë propozime dhe orientime.