Pardje doli raporti për Maqedoninë, si e vlerësoni?
– Me të vërtetë jam i kënaqur, mendoj se Maqedonia meriton mbështetje të qartë, dhe ka ardhur koha që pas kaq viteve, dështimeve dhe pengesave, të vazhdohet përmes rrugës e cila ishte planifikuar para shumë viteve.
Parlamenti Evropian insiston shumë për dialogun politik në vend, vallë shikoni përmirësim?
– Ajo çka mund ta shoh është se opozita, gjithashtu, është e gatshme të dëgjojë për temat kryesore me të cilat duhet të ballafaqohet qeveria, të japë rekomandime të saj, të ketë dialog korrekt me pushtetin. E vlerësoj këtë, për shkak se ka shumë gjëra të cilat mund të vendosen me shumicë të vogël, por ka edhe çështje të tjera ku duhet shumicë e madhe kështu që opozita është pjesë e rëndësishme e kësaj loje.
Çfarë mundemi të presim nga rezoluta e ardhshme e Parlamentit Evropian për Maqedoninë?
– Nuk jam raportuesi për Maqedoninë, por mendoj se Parlamenti, gjithashtu, shumë qartë do të mbështesë fillim të negociatave për anëtarësim me Maqedoninë. Posaçërisht duke pasur parasysh punën e pushtetit dhe të ministrit të Punëve të Jashtme dhe tentimeve konstruktive që të vihet deri në zgjidhje të përbashkët me Greqinë, por dëgjoj se janë afër zgjidhjes, ky është tentim që duhet ta mbështesim dhe të themi një “po” të qartë.
Dëgjojmë se edhe vendet anëtare dhe komisioni do të donin që Maqedonia dhe Shqipëria të shkojnë në pako për fillim të negociatave me BE-në, e ndani këtë mendim?
– Nuk më pëlqen kjo ide. Ndoshta ka kuptim nëse shihet nga perspektiva e largët, por mendoj se ende është garë. Nëse e bëni punën, shkoni në hapin e ardhshëm. Kështu që nuk mendoj se shkuarja në pako është diçka që duhet ta bëjmë. Nuk duhet të ndërlidhet.
Cili shtet është më i avancuar?
– Për disa çështje Maqedonia është më përpara, për të tjera jo. Nëse i shihni reformat gjyqësore në Shqipëri, ata bënë më shumë edhe se disa vende të cilat tashmë negociojnë për një kohë të gjatë. Ka sfera të ndryshme, për disa Maqedonia është më përpara, për disa të tjera më mbrapa. Gjendja ekonomike është shumë e rëndësishme për Maqedoninë. Para së gjithash sepse bëhet fjalë për stabilitet dhe marrëdhënie të mira me fqinjët, dialogun social në vend, inkurajimi i investimeve. Të dyja shtetet meritojnë fillim të negociatave. Fola për ngritje dhe rënie, por për ato rënie duhet edhe ne këtu në Bruksel të pyetemi nëse ndoshta jemi edhe ne pak fajtorë për ato, që ishim aq të ngadalshëm.
Në të vërtetë, përse BE-ja ishte aq e ngadalshme?
– BE-ja është shpesh e ngadalshme për disa arsye. Unë nuk besoj se ka lodhje nga zgjerimi, por njerëzit në vendet tona nuk janë të sigurtë… ja për shembull Këshilli i cili nuk arrin të sundojë me 28, 27 vende anëtare, do të duhej të sundonte me 33 vende. Duhet edhe ne detyrën tonë të shtëpisë ta përfundojmë. Së pari duhet të shohim se si ne t’i ndryshojmë rregullat tona. Dje presidenti francez Emanuel Makron foli për nevojën që të ndryshohen rregullat në BE, të jetë më lehtë të sundohet me BE-në. E më pas duhet t’u sqarojmë qytetarëve tanë se zgjerimi nuk është aksion humanitar, por se të gjithë kemi dobi nga kjo. Stabiliteti ynë është në pyetje, kemi edhe benefite ekonomike nga kjo. Kështu që nuk është se jemi të sjellshëm, e ja pra, do t’u japim diçka Maqedonisë, ky është nonsens total. Por, më me rëndësi është se duhet t’u tregojmë qytetarëve tanë se jemi të gatshëm dhe të aftë të sundojmë një Bashkim Evropian me 33 anëtare. Kemi edhe ne detyrat tona të shtëpisë.
A do të thotë kjo se vendet kandidate duhet të presin që BE-ja ta kryejë detyrën e shtëpisë? Dhe nëse është ashtu, sa kohë do t’ju duhet?
– Jo, nuk duhet të presin, por dëshiroj të them thjeshtë se nuk është vetëm njëra palë me detyra të shtëpisë, edhe ne duhet tonat t’i përfundojmë.
A jeni për dhënien e afatit për anëtarësim të vendeve kandidate në BE?
– Absolutisht jo. Disa nga miqtë e mi në Maqedoni dhe vende të tjera mendojnë se nuk jemi të drejtë, se kemi standarde të dyfishta. Për shembull, lidhur me Bullgarinë dhe Rumaninë, dhe plotësisht kanë të drejtë. Por, nëse e përsërisim përvojën me Rumaninë dhe Bullgarinë, votuesit e mi do të më dërgojnë në ferr. Kështu që kthehemi në atë që ishte arritur fillimisht dhe kjo do të thotë se së pari duhet të zgjidhen problemet, e më pas të pranohen vendet në klub. Ndërkaq jo ajo mënyrë e gabuar e të menduarit, ejani në klub e më pas do t’i zgjidhim problemet. Asnjë problem nuk do të zgjidhet nëse jeni në BE. Shikojeni Kroacinë, pas 25 viteve nuk mund ta zgjidhin problemin kufitar me Slloveninë, madje edhe me arbitrazh, kështu që ju lutem, përfundoni detyrat tuaja dhe më pas hyni.
A duhen mekanizma të brendshme kontrolluese në BE, siç propozojnë eurodeputetët, që të shmangen situata si Hungaria dhe Polonia ku qeverisja e së drejtës është shkelur?
– Ekzistojnë disa mekanizma të cilat janë shumë të ngadalshme dhe jotransparente, duhet të ketë më shumë dhe instrumente më të qarta që të shihet nëse Kriteret e Kopenhagës akoma respektohen madje edhe kur jeni në BE.
A mendoni se Greqia do të bllokonte përsëri një datë të mundshme për fillimin e negociatave në Këshillin për Maqedoninë?
– Teorikisht ndoshta, por tani e shoh se kryeministri Cipras bën përpjekje të mëdha, njëjtë sikurse edhe qeveria juaj për ta gjetur rrugën e përbashkët. Kështu që nuk do të diskutoja tani për mundësinë teorike, por tani për tani jam shumë optimist, aq janë afër. Nuk jam pjesë e këtyre negociatave, por atë që e dëgjoj prej të dyja palëve është se ekziston vullnet serioz të gjendet zgjidhje. Ky nuk ishte gjithmonë rast. Nevojitet guxim prej të dyja palëve që të vihet drejt rezultatit të mirë.
A shikoni mundësi të fillojnë negociatat për BE pa u zgjidhur në tërësi kontesti për emrin, të ketë procese paralele?
Është pak e rrezikshme të përgjigjem në këtë pyetje pasi që nuk dua të përzihem. Sa më shumë njerëz komentojnë, aq më e vështirë është për negociatat. Por mund të paramendoj një marrëveshje parimore e cila duhet të konkretizohet në të ardhmen. Ndoshta kjo është mundësi por me të vërtetë nuk e di. Është e vështirë për qeverinë tuaj, është e vështirë për vendin tuaj, për qytetarët tuaj, është e vështirë të kuptohet prej larg edhe kur i shihni qindra mijë që protestojnë në Selanik dhe këtë nuk e kuptoni si gjerman. Unë akoma jam i bindur se do të gjejnë zgjidhje apo dalje. Por në fund gjithmonë ka mundësi Greqia të thotë “jo”.
Si mund të zbatohet fjala “jo”?
Askush nuk dëshiron të mendojë në atë sepse nuk mundemi të paramendojmë. Në fund gjithçka do të jetë mirë, nëse nuk është mirë, do të thotë se nuk është fund.
Greqia ka konteste bilaterale edhe me Shqipërinë?
Po, kanë disa probleme shumë të vjetra dhe, gjithashtu, negociojnë edhe me Qeverinë shqiptare, dhe po ashtu dëgjoj nga të dyja palët se ka mjaft vullnet të mirë dhe se do të tejkalohet.
Çka është me procesin “Zhan Mone” A është ende gjallë ai?
Fillojmë për disa javë në maj. Do të takohemi, jo për çështjet siç është emri dhe ngjashëm, ato nuk janë për ne. Por të bisedojmë për praktikat më të mira, për standarde etike në Kuvend, si të jetë i pavarur Kuvendi, çka do të thotë buxheti për të, Qeveria të mos mund të përzihet, bëhet fjalë edhe për sigurinë e Kuvendit, nuk duhet në atë ndërtesë të ketë polici shtetërore, por të bëhen zgjidhje të tjera. Ka më shumë pika, duam të diskutojmë me partnerët tanë, ka edhe më shumë zgjidhje në vendet tona anëtare dhe mund t’i gjejnë modelet më të mira dhe nëse dakordohen t’i zhvillojnë në vendin e tyre.
Kur është takimi i ardhshëm?
– Më 17 maj në Ohër.
Tanja Milevska
Burimi: MIA