Agjencia për të Rinj dhe Sport me qëllim që ta ndriçojë rastin me dy poezitë me përmbajtje të pahijshme, të cilat u publikuan në përmbledhje, ndërkaq të cilat shkaktuan vëmendje të madhe në opinion paralajmëroi formimin e komisionit për përcaktimin e përgjegjësisë për anëtarët e komisionit profesional për selektimin dhe përzgjedhjen e veprave më të mira autoriale si pjesë e konkursit për realizimin e projektit “Poetë të rinj” si dhe ngritjen e përgjegjësisë disiplinore dhe suspendimin e udhëheqësit të Sektorit për të rinj.
Agjencia për të Rinj dhe Sport, siç informoi në konferencë për shtyp drejtori i saj, Darko Kaevski, angazhohet tërësisht për ta locuar përgjegjësinë për rastin dhe të parandalojë përsëritjen e gabimeve të këtilla në të ardhmen.
“Konstatuam se ka ekzistuar punë e pandërgjegjshme, joprofesionale e disa faktorëve të cilët kanë pasur rol aktiv rreth konkursit për editimin e publikimit të “Poetëve të rinj”. Sjellja e tillë ka çuar në publikimin e përmbajtjes me elemente të diskriminimit gjinor dhe etnik, ndaj çka ARS kundërshton ashpër”, thotë Kaevski.
Shtoi se komisioni i jashtëm treanëtarësh i përbërë nga Jovica Ivanov si kryetar dhe Nikolina Andova Shopova dhe Tihomir Jançoski si anëtarë, ka pasur për obligim të bëjë selektimin e krijimeve të arritura dhe të veprojë me përgjegjësi, në mënyrë profesionale dhe të paanshme në pajtim me rregullat pozitive ligjore në vend.
Ata sipas Kaevskit, është dashur t’i selektojnë dhe shqyrtojnë të gjitha poezitë që kanë arritur tek ata, e jo vetëm t’i zgjedhin tre më të mirat, dhe për atë qëllim secili prej tyre ka qenë i paguar nga pesë mijë denarë.
Kaevski thotë se ndjen përgjegjësi morale, por jo edhe përgjegjësi të ndonjë lloji tjetër për publikimin e përmbledhjes. Përgjegjësinë për zgjedhjen e bërë dhe për përmbajtjen e përmbledhjes e locon tek anëtarët e komisionit të jashtëm, por edhe tek udhëheqësi i sektorit i cili do të suspendohet dhe i cili e ka dërguar përmbledhjen në Ars Lamina. Sipas tij, në rast ekzistojnë edhe shkelje të dukshme të dispozitave ligjore nga Ligji për veprimtari botuese.
“Si drejtor nuk kam dhënë kurrfarë pëlqimi me shkrim apo me gojë për të qenë redaktor, e me atë rast ARS nuk mund të jetë botues i përmbledhjes me poezi “Poetë të rinj”, ndërsa personi i autorizuar nuk mund të jetë redaktor për të njëjtën, duke i pasur parasysh normat në Ligjin për veprimtari botuese”, tha Kaevski.
Ky projekt zbatohet për katër vite, ndërsa këtë vit për herë të parë ai si drejtor dhe Agjencia ishin cekur si redaktor dhe publikues, ndërkaq se si ka ndodhur kjo, do të konfirmohet plotësisht.
Ars Lamina e fitoi tenderin për “Poetë të rinj” i cili fillimisht paraqiste 400 mijë denarë, e më pas në ankand e fitoi për rreth 180 mijë denarë, për shtypje dhe distribuim. Përmbledhja është shtypur në 5.000 ekzemplarë, ndërsa ARS nuk ka numër të saktë se sa deri më tani janë distribuuar. Ekzemplarët e padistribuuar të “Poetëve të rinj” janë tërhequr. Plotësisht do të konfirmohet se çka do të bëhet me ato që tashmë kanë dalë në shitje.
Lidhur me atë se dy poezitë kontestuese janë publikuar nën identitet të vjedhur, Kaevski thotë se MPB tashmë ka ndërmarrë nismë lidhur me këtë dhe do të veprojë në pajtim me kompetencat e veta. Poezitë janë shkruar nga 41-vjeçari Aleksandar Bllazhevski, por në përmbledhje, si autor i tyre është cekur Daniel Piljakovski.
VMRO-DPMNE opozitare, ndërkaq, kërkoi që Darko Kaevski, siç thonë, të mos ikë nga përgjegjësia dhe të japë dorëheqje për krijimet e pahijshme të cilat promovojnë seksizëm dhe shovinizëm, përhapin gjuhë të urrejtjes dhe primitivizmit.
Burimi: MIA