Mbi njëqind gazetarë nga iniciativa joformale “Rrjeti gazetar” publikisht e shprehën mbështetjen e tyre ndaj kolegëve nga Maqedonia.
Iniciativa joformale “Rrjeti gazetar” e dënon ashpër sulmin fizik ndaj ekipit të portalit Maqedonas A1 On në Shkup dhe kërkon reagim të shpejtë të shtetit, procesim të shpejtë dhe efektiv gjyqësor dhe policor, si dhe reagim përkatës të bashkësisë ndërkombëtare dhe organizatave ndërkombëtare, shkruan ueb-portali Kroat, Lupiga.
“Përkujtojmë se situata e mediave në Maqedoni është dita ditës e më e keqe, se kolegët tonë të cilët e kryejnë detyrën e tyre në mënyrë profesionale janë të përballur me kërcënime dhe presione të vazhdueshme, dhe se integriteti profesional dhe fizik u është rrezikuar.
Maqedonia prej viti në vit është më ulët në shkallën e lirive të mediave, ndërsa në raportin për vitin 2016 nga “Freedom House” për lirinë e mediave, nga “grupi i pjesërisht të lirëve” është e vendosur në “grupin e vendeve jo të lira”.
Mes arsyeve për këtë rënie është shpalosja e përgjimit joligjor dhe masovike të gazetarëve të cilin e zbatoi Qeveria, lidhjet korruptuese mes funksionarëve dhe pronarëve të mediave, si dhe numri i rritur i kërcënimeve dhe sulmeve mbi punëtorët e mediave.
Rrjeti i gazetarëve solidarizohet me kolegët nga A1 On dhe mediat tjera të pavarura në Maqedoni, dhe u bën thirrje, së bashku me kolegët dhe gazetarët tjerë dhe persona publik nga rajoni, të nënshkruar më poshtë, ta dënojnë këtë incident”, thuhet në lajmërimin e “Rrjetit gazetar”.
Mes njëqind të nënshkruarit janë Boris Dezhulloviq, Viktor Ivançiq, Predrag Luciq nga Kroacia, Jeta Xharra dhe Una Hajdari nga Kosova, Tamara Skroca, Gordana Igriç dhe Jovana Gligorieviq nga Serbia, Sashka Cvetkovska, Mlladen Çadikovski, Jadranka Kostova nga Maqedonia, Aleksandar Trifunoviç dhe Selvedin Avdiq nga Bosnja dhe Hercegovina, Marin Shiriak nga Rumania, Matej Zviter dhe Brankica Shetkoviq nga Sllovenia, Marija Çeresheva nga Bullgaria, Dushica Tomoviq nga Mali i Zi…