Ishin kohërat më të mira, ishin kohërat më të këqija. Me këtë shprehje të Dikensit do ta karakterizoja vitin 2016. Ky vit ka qenë një vit kur kam ndjerë dhe prezencën e fuqisë dhe mungesën e saj, por ndoshta kjo e fundit më ka prekur më shumë. Me lëvizjet e ndryshme shoqërore në Maqedoni dhe në rajon, mu rrit shpresa në zërin e qytetarëve, dhe vullnetin për ta përdorur atë, pa marrë parasysh se a do t’i dëgjoje dikush. Qëndrueshmëria e rezistencës ishte ajo që mua më dha guxim, por në të njëjtën kohë është gjëja për të cilën shpresoj nuk do të zhduket por do të rritet në shkalle me te gjere. Kjo shpresë dhe realizimi i saj është i rëndësishëm tani më shumë se kurrë.
Viti 2016 ishte i vështirë, edhe pse me valë shpresëdhënëse, trazirat e krizës politike në Maqedoni, zgjedhjet në Amerikë, zgjedhjet në Austri, zgjedhjet në Maqedoni, trazirat në Kosovë, lufta në Siri, trazirat në Turqi të gjitha këto më kanë lënë me një ndjenje që me ka bërë të ndjehem shumë e pafuqishme. Edhe pse shumica e këtyre ngjarjeve kanë ndodhur në shtete të ndryshme dhe të largëta, shumica e proceseve që kanë mundësuar këto ngjarje kanë qenë sulm mbi vlerat që unë, si person që beson në të drejtat e njeriut, tolerancën dhe dinjitetin e njeriut, i kam ndjerë edhe si personale. Rezultati i zgjedhjeve në Amerikë ishte një nga grushtet më të forta mbi vetëdijen time. Si aktiviste e të drejtave të njeriut, sidomos e personave më të cenuar dhe të grave, zgjedhja e Donald Trumpit, në një shtet që akoma karakterizohet me demokracinë e tij, ishte shumë dëshpëruese. Në atë moment mu duk sikur gjithçka për të cilën unë dhe shumë kolegë të mi kanë punuar për një kohë të gjatë, gjëra si dinjiteti njerëzor, respekti për tjetrin dhe toleranca, u përjetuan si vlera humbëse. Kjo fitore më tregoi se nuk mund të konsiderojmë asgjë si diçka të arrirë përgjithmonë, pa marrë parasysh se sa pozitive mund të na duket.
Zakonisht, donatorët dhe aktivistët shohin nga shtetet e reja si fusha ku duhet përmirësuar demokracia, të rritet vetëdijësimi mbi vlera universale si toleranca, të drejtat e njeriut dhe e drejta e shprehjes mes tjerash. Zgjedhjet në Amerikë, si dhe rritja e mbështetjes për partitë e të djathtës radikale në Evropë, e kanë vënë në dyshim prezencën dhe nivelin e vetëdijes për këto vlera në shtetet e konsideruara si të zhvilluara dhe demokratike. Kjo do të thotë që për aktivistët në nivelin global, do të ketë dhe do të nevojitet shumë punë në fushën e vetëdijësimi dhe rinjohjes me vlerat që ndërtuan shoqëritë perëndimore pas luftës të dytë botërore. Së fundmi, zgjedhjet në Amerikë kishin dhe implikime për zgjedhjet në Maqedoni, edhe pse indirekte, në dhënien e fuqisë ideve të së djathtës. Por këtu vlen të ceket, se edhe pse rezultati i zgjedhjeve në Maqedoni nuk ishte ai që shumë aktivistë kanë pritur apo kanë dëshiruar, kjo nuk cenon lëvizjet që ndodhën në qytete të ndryshme. Unë si studiuese e lëvizjeve, nuk e konsideroj suksesin e lëvizjeve vetëm në arritjen e qëllimeve të caktuara, por në faktin se këto lëvizje, për herë të parë, dhanë një metodë rezistence përtej grupeve etnike dhe shpeshherë, përtej partisë.
Ky vit ka qenë dhe një vit në të cilin janë zbuluar polarizime të thella në shoqëri, dhe jo vetëm në Maqedoni por në nivel botëror. Është shumë e rëndësishme që në vitin në vijim ti adresojmë këto polarizime dhe jo me qëllim për të gjykuar por për të kuptuar. Nëse dëshiroj një gjë për vitin 2017 do të ishte për të dëgjuar me qëllim për kuptuar, dhe kritika më qëllim për të përmirësuar dhe për të ndërtuar.