CIVIL – Qendra për Liri dënon ashpër dhe pa mëdyshje incidentet e djegies së flamurit kombëtar ku përfshihen të rinj, përfshirë të mitur, nën ndikimin e retorikës së rrezikshme nacionaliste. Këto akte jo vetëm simbolizojnë destruktivitetin dhe mospërfilljen e parimeve të bashkëjetesës dhe multikulturalizmit, por edhe thellojnë urrejtjen dhe përçarjen në shoqërinë tonë.
Është thellësisht shqetësuese të dëshmosh incidente të tilla, por është edhe më e rëndë kur rinia shfrytëzohet për të përhapur ideologji shkatërruese.
CIVIL-i u bën thirrje të gjitha institucioneve përgjegjëse, udhëheqësve të komuniteteve, por edhe prindërve, edukatorëve, organizatave qytetare dhe të gjithë njerëzve të përgjegjshëm dhe dinjitoz që të marrin masa të menjëhershme për nxitjen e tolerancës dhe të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për edukim intensiv kundër urrejtjes mbi çdo bazë. Shoqëria dhe shteti janë të detyruar të mbrojnë rendin juridik dhe të mbajnë përgjegjësi të gjithë shkelësit e ligjit. Në të njëjtën kohë, institucionet dhe aktorët socialë kanë detyrimin për të mbrojtur fëmijët dhe të rinjtë nga propaganda e dëmshme.
Në 25 vitet e ekzistencës, CIVIL-i vazhdimisht punon për promovimin e multikulturalizmit dhe respektimit të diversitetit në vend, në rajon dhe në nivel global. Me rastin e këtyre incidenteve, CIVIL-i kërkon nga të gjitha palët e interesuara që urgjentisht të ndërmarrin hapa për të forcuar përpjekjet për promovimin e tolerancës ndëretnike dhe ndërkulturore, përmes edukimit gjithëpërfshirës dhe mbështetjes së të rinjve për të refuzuar retorikën e urrejtjes. Shoqëria civile, institucionet arsimore dhe media duhet të punojnë së bashku për të krijuar një mjedis në të cilin të rinjtë do të çlirohen nga ndikimi i propagandës shkatërruese.
Njëkohësisht, CIVIL-i insistonpër reagim përkatës ligjor dhe institucional ndaj të gjithë atyre që nxisin ose marrin pjesë në akte urrejtjeje, përfshirë ata që abuzojnë me incidentet për manipulim politik dhe polarizim. Vetëm duke bashkuar të gjithë aktorët mund të parandalohet dhuna e mëtejshme dhe të mbrohen vlerat e multikulturalizmit, bashkëjetesës dhe vlerave demokratike.