Për pastruesit e ndërtesave që punojnë sipas marrëveshjes kolektive, e të tillë janë rreth 700,000 njerëz, vjen një lajm shumë i mirë: Nga janari i vitit 2025 do të rriten rrogat me 11%. Kështu është bërë e ditur nga sindikata përgjegjëse.
Siç njoftoi sindikata Bauen-Agrar-Umwelt (IG BAU), pagat në sektor do të rriten me rreth njëmbëdhjetë për qind nga 1 janari 2025.
Në grupin e pagave më të ulëta, atë të punëtorëve të pastrimit, paga minimale rritet nga 13.50 euro në 15 euro në orë.
Paga minimale e pastruesve të xhamave dhe fasadave do të jetë 18.40 euro, sipas sindikatës.
Sektori i pastrimit të ndërtesave është një industri e rëndësishme me një qarkullim vjetor prej mbi 26 miliardë euro dhe me rreth 700,000 punonjës në Gjermani.
Rreth 500,000 punonjës, shumica e të cilëve janë gra, marrin vetëm pagën minimale./Bahri Cani/