Shumë qesharak dhe joserioz më duket debati rreth asaj se sa akademi të shkencave duhet të kemi. Kushdo që e merr këtë debat seriozisht, ndoshta në mënyrë naive mendon se ne kemi shkencë. Sikur ne në këtë shtet “baksuz” të kishim shpikur ndonjë vaksinë, ilaç, formulë, telefon të mençur, të kishim dhënë përgjigje inovative për korrupsionin, varfërinë, sëmundjet, të kishim shpikur softuer të avancuar, dronë, armë, inteligjencë artificiale…
Deri diku është e pritshme që debati për “balancuesin” në administratë të vihet në një kontekst etnik. Administrata publike prej kohësh nuk shihet më si një aparat që duhet t’u shërbejë qytetarëve dhe biznesit, por si një mënyrë për zgjidhjen e problemeve sociale të qytetarëve. Në vend që të debatojmë për cilësinë, ne debatojmë se kush sa do të “thithë” nga gjiri i madh i shtetit. E çmendur, apo jo? Megjithatë, disi është e kuptueshme – padrejtësitë e së kaluarës gjithmonë rregullohen në këtë mënyrë të çmendur.
Por, të harxhohet kaq shumë energji për të etnizuar një shkencë që nuk e ke, por je në një deluzion se e ke, është vërtet jashtë çdo logjike të shëndoshë. Nëse strategjitë etnike që burojnë nga urrejtja e rrënjosur ndaj tjetrit, që janë të drejtuara kundër tjetrit, që kanë si qëllim përfundimtar shkatërrimin e tjetrit apo vizatimin e vijave ndarëse etnike konsiderohen shkencë, atëherë ne nuk jemi normalë. Shkenca e vërtetë jep përgjigje për problemet e njerëzve. Njeriu është në qendër të shkencës, jo shkatërrimi i tij. Vetëm kur është keqpërdorur nga politika, shkenca është kthyer kundër njeriut.
Ne si shtet, me vetëm 0.2 përqind të PBB-së vjetore të ndarë për shkencën, nuk kemi as shkencë, as shkencëtarë. Vetëm politikanë kemi, edhe atë me shumicë.