Shoqata Gjermane për Evropën Juglindore i dha Çmimin e Solidaritetit 2024 për Gazetarët më 4 korrik Xhabir Derallës, gazetar, shkrimtar, analist dhe aktivist për të drejtat e njeriut. Ai është kryetar i CIVIL – Qendrës për Liri dhe kryeredaktor i platformës mediatike të organizatës.
“Si bashkëthemelues dhe personi i parë i organizatës së shquar të të drejtave të njeriut CIVIL, e themeluar në vitin 1999, Deralla e ka shndërruar organizatën në sinonim të iniciativave inovative dhe të fuqishme në fushën e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe pjesëmarrjes qytetare”, tha Josip Juratoviq, Zv. Kryetari i Asociacionit të Evropës Juglindore në fjalimin kushtuar Derallës, gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimit, më 4 korrik në Bundestagun gjerman.
Juratoviq theksoi më tej luftën e madhe të Derallës për demokraci, të drejtat dhe liritë e njeriut, barazinë gjinore dhe etnike, luftën e tij kundër kërcënimeve hibride, kontributin e tij në promovimin e vlerave që janë kyçe për përparimin shoqëror.
“Pavarësisht se është përballur me kërcënimet dhe gjuhën e urrejtjes nga grupet ultra-nacionaliste dhe pro-ruse, Deralla vazhdon punën e tij të palodhshme për promovimin e vlerave që ai i konsideron kyçe për përparimin shoqëror. Guximi i tij, dhe përkushtimi i parezervë ndaj të drejtave dhe lirive të njeriut e bëjnë atë një hero të vërtetë të kohës sonë”, tha Juratoviq.
Në fillim të ceremonisë, Manuel Sarrazin, kryetar i Asociacionit të Evropës Juglindore, i njohur për publikun si përfaqësuesi special i Republikës Federale të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, foli për qëllimet dhe arsyet pse jepet ky çmim solidariteti për gazetarët nga Evropa Juglindore.
“Shpresojmë që vlerësimi ynë simbolik i punës së tyre do të shihet si një kontribut për lirinë e medias dhe lirinë e fjalës, dhe sigurisht ky është një nder me të vërtetë i madh që mund t’i bëjmë vetë Parlamentit gjerman”, tha Sarrazin.
Pas fjalës hapëse të Sarrazin dhe Juratoviq, në ceremoninë foli edhe laureati Deralla.
“Më lejoni të përpiqem të shpjegoj se çfarë do të thotë ky çmim për mua dhe kolegët e mi. Do të thotë se nuk jemi vetëm. Se lufta është e vështirë, por se ka njohje. Kjo do të thotë se ka solidaritet. Mbështetje. Shpresë. Ky çmim përfaqëson një njohje të papritur, por shumë të nevojshme për punën dhe përpjekjet e palodhshme që kolegët e mi dhe unë po bëjmë për të siguruar që faktet të mbizotërojnë mbi gënjeshtrat, manipulimet dhe propagandën”, tha Xhabir Deralla në fjalimin e tij në Bundestagun gjerman.
Ai shtoi se e pranon çmimin, jo vetëm për vete, por edhe në emër të kolegeve dhe kolegëve të tij që ndajnë çdo ditë të njëjtat sfida me të dhe se “sot nuk do të ishte këtu pa ata”.
“Ne mbrojmë të drejtën për të shprehur mendimin tonë dhe për të zbuluar historitë e vërteta të të diskriminuarve dhe të shtypurve, edhe me çmimin e mirëqenies dhe sigurisë sonë”, tha Deralla.
Në fjalimin e tij, Deralla theksoi nevojën e luftës së përditshme për të vërtetën kundër gënjeshtrës, manipulimeve dhe propagandës. Ai theksoi se misioni ynë është të ruajmë dhe të ushqejmë demokracinë dhe vlerat demokratike.
“Secili prej nesh është një pjesë e rëndësishme e enigmës së madhe botërore, e cila është nën hijen e kërcënimit të errët të luftës dhe diktaturave”. Kjo nuk është vetëm një frazë boshe; është një realitet i provuar herë pas here”, theksoi Deralla.
Në faqen e Asociacionit për Evropën Juglindore ka përmbajtje të shumta rreth këtij çmimi prestigjioz, kështu që është publikuar një foto e ceremonisë së ndarjes së çmimeve, e shoqëruar me një biografi të shkurtër të laureatit Deralla.
Pas fjalimeve solemne, programi përfshiu një bisedë me Derallën e udhëhequr nga Adelheid Feilcke, gazetare me reputacion të lartë ndërkombëtar, përgjegjëse për shërbimin e Deutsche Welle-s në 10 gjuhë në rajonin e gjerë të Evropës midis Detit Baltik, Adriatik dhe Detit të Zi. Pas fjalimit u hap seanca për komente dhe pyetje nga të pranishmit, të cilave u përgjigj Deralla.
Pas përfundimit të pjesës zyrtare të ceremonisë, ka pasur një fotosesion dhe një koktej për nder të Derallës, ku morën pjesë deputetë të parlamentit gjerman, gazetarë, artistë dhe përfaqësues të shoqatave gazetareske dhe qytetare.
Këto ditë pritet të publikohen më shumë detaje nga e gjithë ngjarja, si dhe biseda e m Feilcke e Derallën.
Përkujtojmë, Deralla është gjithashtu marrës i Urdhrit të Meritës nga Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, për kontributin e tij të madh në luftën kundër propagandës ruse dhe kërcënimeve hibride në vitin 2023. Zelenski, me Dekretin numër 556/2023, e shpërblen Xhabir Derallën me Urdhrin e Meritës. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, si dhe aktorët me famë botërore Alain Delon dhe Catherine Deneuve, morën këtë mirënjohje të lartë shtetërore nga Ukraina.
Çfarë paraqet çmimi i Solidaritetit për gazetarët nga Evropa Juglindore?
Çmimi i Solidaritetit nderon gazetarët e guximshëm, të cilët shpesh e vënë veten në rrezik të madh personal për raportimin e tyre kritik. Ai synon të nderojë punën e tyre të jashtëzakonshme dhe të njohë kontributin e tyre në promovimin e demokracisë, shtetit të së drejtës dhe lirisë së shtypit. Çmimi synon gjithashtu të kontribuojë në mbrojtjen e gazetarëve në terren përmes vëmendjes së publikut që tërheq dhe të nderojë arritjet e mëdha të fituesve të çmimeve.
Me këtë çmim, Asociacioni i Evropës Juglindore dëshiron të tregojë se qëndron në anën e atyre që flasin për vlerat evropiane si liria e shtypit dhe liria e shprehjes. Çmimi u prezantua në një event të projektuar posaçërisht dhe financohet tërësisht nga donacionet.
Biljana Jordanovska