Çmimet e ushqimeve bazë ushqimore kanë shënuar rënie, ashtu që çmimi i bukës është liruar për 5 denarë, po ashtu ka rënie edhe te fileta e pulës dhe kofshës së pulës.
Drejt.mk bisedoi me disa tragtarë të bizneseve të vogla, siç janë furrë e bukës dhe mishtore, të cilët konfirmuan rënien e çmimit të bukës dhe disa produkteve të mishit.
“Për momentin kemi ulur çmimin vetëm te fileta pulës dhe kofsha e pulës, ndërsa çmimi i mishit të demit nuk ka ndryshim. Çmimi i filetës së pulës është për 40 denarë apo 50 denarë më pak, ndërsa kofshës së pulës për 40 denarë. Çmimi më i lartë ka qenë i mishit të viçit, që është 650 denarë, ndërsa i demit 580 denarë. Tani për tani nuk kemi ulje te mishi i demit dhe viçit”, u prononcua njëri nga tregtarët që posedonte mishtore.
Nga ana tjetër pronari i një furre në Shkup, konfirmoi se çmimi i bukës ka rënë për 5 denarë.
“Çmimin e bukës e kemi ulur për 5 denarë më pak, ka disa ditë që e kemi ulur. Ka qenë 40 denarë, ndërsa tani kushton 35 denarë. Çmimi më i lartë i bukës ka qenë 40 denarë”, deklaroi pronari i furrës së bukës.
N. A.