Zëvendësambasadori dhe shefi i departamentit të ekonomisë në Ambasadën Gjermane, Otto Graf, iu përgjigj disa pyetjeve në lidhje me dezinformimin dhe propagandën, mbështetjen e Ambasadës Gjermane për shoqërinë civile dhe mediat, si dhe perspektivat e Maqedonisë së Veriut dhe mbështetjen e Gjermanisë në këtë proces.
E pyetëm bashkëbiseduesin tonë për opinionin e tij për gjendjen me mediat në vend dhe mënyrën se si tregtohen mesazhet propagandistike ruse.
“Ka një situatë të veçantë në Maqedoninë e Veriut. Ka shumë njësi mediatike relativisht të vogla, veçanërisht në krahasim me madhësinë e vendit. Për më tepër, njerëzit jo vetëm që konsumojnë media lokale, por përmes internetit që marrin, ata shikojnë veçanërisht kanale televizive nga të gjitha vendet e ish-Jugosllavisë. Prandaj, popullsia këtu është e ekspozuar si ndaj mediave lokale ashtu edhe ndaj mediave të ndryshme nga vendet fqinje. Kjo do të thotë se opinionet apo pikëpamjet për situatën nuk janë formuar ekskluzivisht nga mediat vendase, por në një masë të madhe nga mediat serbe, të cilat konsiderohen si shumë argëtuese. Për këtë ne shohim edhe qëndrime serbe, ndërsa në mënyrë indirekte , mjaft qëndrime ruse në këtë vend”, u përgjigj zëvendësambasadori Otto Graf.
Gjermania i ofron mbështetje të madhe Maqedonisë së Veriut në disa fusha, duke filluar nga ajo ekonomike dhe deri te ajo e mbrojtjes. Mbështetja e proceseve demokratike, në këtë kuptim edhe e shoqërisë civile dhe mediave, është me rëndës të madhe.
“Përmes Ministrisë sonë të Jashtme mbështesim disa projekte të dialogut mediatik. Ne jemi këtu në pjesën e punës së projektit, për të mbështetur situatën me mediat në këtë vend. Si ambasadë sigurisht që jemi në kontakte relativisht të vazhdueshme me mediat vendase, me gazetarët në vend dhe mundohemi t’i ushqejmë me informacionin që u nevojitet, dhe t’i ndihmojmë me pyetje konkrete që do të kishin” – tha bashkëbiseduesi ynë mes tjerash.
Lidhur me perspektivat e Maqedonisë në BE, zëvendësambasadori Otto Graf tha se vendi ynë është në rrugën e duhur, por se duhet investuar shumë mund dhe vullnet politik. Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e ndryshimit të Kushtetutës, në mënyrë që ky proces të vazhdojë me shpejtësi edhe më të madhe.
“Mendoj se tani që e kemi zhbllokuar situatën me Bullgarinë, Maqedonia e Veriut është me të vërtetë në rrugën e negociatave për anëtarësim në BE. Natyrisht, ka disa gjëra që duhen bërë. Gjëja kryesore do të jetë ndryshimi i kushtetutës që ishte pjesë e marrëveshjes, por kam shumë besim se kjo do të ketë sukses. Ka edhe çështje teknike, që do të thotë se këtu ministritë do të duhet të punojnë me procesin e shqyrtimit, të hapin më shumë kapituj, të përpunojnë të gjithë listën e detyrave”, tha zëvendësambasadori Otto Graf.
Në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe reformave që duhen zbatuar, zëvendësambasadori Otto Graf theksoi rëndësinë e shtetit ligjor dhe luftës kundër korrupsionit.
“Patjetër se këtu është edhe çështja e madhe, pra shteti ligjor, lufta kundër korrupsionit. Dhe për këtë në fund do të duhet vullnet politik për ta zgjidhur. Dhe ky vullnet nuk mund të gjenerohet në Bruksel, por ky vullnet duhet të gjenerohet në Shkup, në mesin e partive politike. Pra, në fund të fundit, afati është në duart e politikës maqedonase dhe çelësi i hyrjes në BE është gjithashtu në duart e qeverisë maqedonase”, tha diplomati gjerman.
Zëvendësambasadori i Gjermanisë, Otto Graf, u shpreh optimist për shanset e integrimit të shpejtë të vendit tonë në BE, por theksoi se kjo kërkon shumë punë dhe vullnet politik.
“Ne jemi optimistë dhe jam i sigurt se nëse ka vullnet, ky mund të jetë një nga anëtarësimet vërtet të shpejta në BE, por nuk do të vijë vetvetiu, duhet punë dhe kjo duhet bërë”, tha Otto Graf.
Takimi dhe intervista me zëvendësambasadorin Graf u zhvillua më 8 dhjetor dhe janë pjesë e projektit “Gazetaria rezistente ndaj dezinformatave dhe propagandës”, të cilin e realizoi CIVILI në partneritet me Youth4Media nga Gjermania, me mbështetjen e Qeverisë së North Rhine-Westphalia.
Biseda u moderua nga: Dr. Wolfgang Ressmann dhe Xhabir Deralla
Kamera dhe montimi: Samuel Debus
Transkripti dhe përkthimi në gjuhën maqedonase: Natasha Cvetkovska
Përpunimi dhe përkthimi në gjuhën shqipe: Dijana Tahiri