Mbështetje për progresin e Maqedonisë së Veriut në procesin e integrimit evropian ishte shprehur sot në bisedën telefonike, të cilën ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani e realizoi me homologun e tij çek, Jan Lipavski, njofton MIA.
Osmani, siç bëri të ditur MPJ, e siguroi bashkëbiseduesin se anëtarësimi në Bashkimin Evropian është interesi kryesor shtetëror dhe prioritet primar i politikës së jashtme të Maqedonisë së Veriut.
Bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime për nevojën e realizimit të shpejtë dhe dinamik të perspektivës evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor për të garantuar stabilitet, qëndrueshmëri dhe zhvillim të rajonit të Ballkanit Perëndimor në kontekstin aktual të pasigurt gjeopolitik.
Lipavski theksoi gatishmërinë për organizimin e shpejtë të Konferencës së parë Ndërqeveritare, pasi Maqedonia e Veriut të miratojë propozimin evropian.
“Dy bashkëbiseduesit përsëritën aspektet kyçe të propozimit të kompromisit, i cili e çon vendin më afër Bashkimit Evropian, duke marrë parasysh interesat tona në drejtim të formulimit të pastër të gjuhës maqedonase; mungesën e çështjeve historike në kornizën negociuese dhe fillimin e menjëhershëm të negociatave për anëtarësim”, theksoi MPJ në kumtesë.