Në takimin e mbrëmshëm në Shtëpinë e Bardhë me presidentin amerikan Xho Bajden, kryeministri grek Kirijakos Micotakis deklaroi se Greqia është shtyllë e stabilitetit në Ballkan dhe partner serioz në Mesdheun Lindor, transmeton MIA.
Bajden iu falënderua Micotakisit për përkrahjen morale që Greqia ia jep Ukrainës në rezistencën kundër agresionit rus.
“Ne tani jemi të ballafaquar me sfidë të bashkuar me pushtimin rus në Ukrainë”, deklaroi Micotakis. Ai shtoi se marrëdhëniet greko-amerikane janë në nivelin më të lartë të mundur.
“Nuk flas vetëm me pjesën mbrojtëse, por edhe për investimet (amerikane) dhe për rolin e Greqisë si partner të sigurtë në rajonin e Mesdheut Lindor, si vend, i cili e tejkaloi krizën financiare me ekonominë në rritje dhe si shtyllë e stabilitetit në Ballkan dhe në rajonin më të gjerë.
Presidenti i SHBA-së organizoi pritje në nder të shënimit të 201 vjetorit nga fillimi i luftës për pavarësi të Greqisë. Micotakis paraprakisht deklaroi se 200 vjetori i kësaj feste për Greqinë duhej të shënohej vitin e kaluar, por për shkak të Kovid-19 ngjarjet janë anuluar për këtë vit.