Në negociatat me Bullgarinë, për herë të parë këtë vit kemi krijuar sistem të bisedimeve racionale, të cilat zhvillohen për disa tema, raporton MIA.
Procesi ka pushuar së qeni i robëruar vetëm nga disa çështje, në radhë të parë të lidhura me historinë dhe ajo qasje e re dhe energjia e re mendoj se po japin rezultate, pavarësisht nga të gjitha pengesat, deklaroi zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bojan Mariçiq.
Sa i përket gatishmërisë për fillimin e negociatave, Mariçiq në forumin me rastin e 100 ditëve të mandatit të Qeverisë tha se në raportet e rregullta për BE-në kemi një nivel prej 45 për qind të gatishmërisë apo harmonizimit me sistemin e Unionit dhe nivelin e gatishmërisë. sipas raportit të fundit është më i larti në rajon dhe madje më i lartë se disa vende që tashmë po negociojnë, si Serbia dhe Mali i Zi.
“Kemi pozicion të mirë startues, por është shumë e rëndësishme që të na jepet mundësia për të filluar. Integrimi ynë evropian ka qenë viktimë e çështjeve politike dypalëshe për një kohë të gjatë, prandaj është koha që ato çështje të mbyllen sa më shpejt në mënyrë të duhur dhe dinjitoze, në mënyrë që të angazhohemi për reforma reale dhe europianizim të shoqërisë sonë”, deklaroi Mariçiq.
Duke folur për perspektivat për përparim në integrimet evropiane, Mariçiq tha se marrëdhëniet me Bullgarinë janë përmirësuar dhe komunikimi është intensifikuar dhe se pesë grupet e punës kanë bërë shumë.
“Ne duhet ta përdorim atë energji gjatë presidencës franceze për të bërë përparim serioz dhe zgjidhje,” tha Mariçiq.
Konteksti i mirë, sipas tij, është se Franca mban presidencën e BE-së, sepse është një nga vendet më me ndikim në BE, dhe presidenti francez Emanuel Makron, personalisht zptphet për përparimin e integrimit evropian në Ballkanin Perëndimor, sidomos pas vendosjes të metodologjisë së re.
“Mendoj se trajektorja e lëvizjes e krijuar nga qasja e re me Qeverinë e Bullgarisë është e vetmja që mund të na çojë drejt njëfarë suksesi. I shoh të gjitha pengesat në rrugë si përpjekjet e nacionalistëve radikalë në të dy anët e kufirit për të dështuar,” tha Mariçiq.
Ai shprehu gatishmërinë për të vazhduar bisedimet, duke u kujdesur njëkohësisht për interesat tona kryesore kombëtare.
“Interesi ynë kryesor kombëtar është mbrojtja e gjuhës dhe identitetit maqedonas, por edhe një interes kyç kombëtar, së bashku me mbrojtjen e identitetit, është që pas 17 vitesh të fillojmë negociatat për anëtarësim”, tha Mariçiq.