A i dinë gratë të drejtat e tyre? Sa të mbrojtura janë gratë në familje, shoqëri, punë, në martesa? Çfarë po bëhet për zvogëlimin e pabarazisë në aspektin e të drejtave të grave në vend, për zgjidhje të qëndrueshme ndaj diskriminimit ndaj grave në nivel institucional dhe social? – janë disa nga temat e diskutuara në panelin e CIVIL-it “Barazia gjinore në Maqedoninë e Veriut: Mes deklaratave dhe realitetit.”
Dragana Stojçevska, regjisore, thotë se për të është shumë e rëndësishme përfshirja e personazheve kryesore femra në shfaqjet teatrale.
“Kam dy vite që punoj në një projekt dhe studioj abuzimin dhe ngacmimin e grave në fakultet dhe në vendin e punës.
Kemi konstatuar se një grup studentesh janë shantazhuar nga profesorët e tyre për të marrë notë, por nga frika nuk tregojnë.
Ne kemi mbledhur mbi 500 përvoja të grave që janë ngacmuar në vendin e tyre të punës dhe shumica e grave kanë frikë të flasin sepse kanë frikë nga eprorët e tyre, jo vetëm burrat por edhe gratë që janë eprorë të tyre.
Ne bëmë një performancë publike dhe shumica e grave nuk donin të flisnin ose nëse zgjodhën të flisnin, zgjidhnin fjalët. Institucionet duhet të punojnë dhe të mbrojnë gratë viktima.
Kemi qenë të kujdesshëm gjatë hulumtimit për të mbrojtur gratë që kanë folur publikisht apo na kanë shkruar, madje edhe në dialekt kemi qenë të kujdesshëm që të mos njihet ndonjë viktimë femër”, tha Dragana Gunin.
Elena Dimushevska nga Rrjeti kombëtar kundër dhunës ndaj grave, thotë se Maqedonia e ka ratifikuar Konventën e Stambollit dhe konstatimet nga zbatimi i këtij dokumenti janë të frikshme.
“Mosbesimi në institucione ka ekzistuar dhe ai mosbesim po rritet vazhdimisht. Situata jonë po ndryshon dhe ne vetë kemi vendosur të ndryshojmë gjërat. Ne kemi hapur dy qendra të grave në Shkup dhe Tetovë, në mënyrë që të ofrojmë mbështetje të plotë për gratë viktima që do të vendosin të largohen nga dhunuesi”, tha Dimushevska.
Nora Kaliqi nga nisma “Ajo” thotë se për të drejtat e grave duhet folur vazhdimisht dhe jo vetëm këto 16 ditë aktivizëm.
“Nga nisma, ‘Ajo’ është shndërruar në një portal interneti ku publikohen tekste për të drejtat e grave. Kështu, përmes një portali online, besojmë se do të jetë më i lehtë ndërgjegjësimi i grave, për të drejtat e tyre, për edukimin. Këto tema janë ende tabu në shoqërinë tonë”, tha Kaliqi.
Almira Fazli nga Nisma e grave në Shuto Orizarë thotë se nga viti i ardhshëm do të jenë organizatë e pavarur joqeveritare dhe do të shkëputen nga HERA me të cilën bashkëpunojnë që 12 vite.
“Ne punojmë kryesisht për shëndetin seksual dhe riprodhues të grave Rome dhe diskriminimin e nëpunësve shëndetësorë ndaj komunitetit Rom. Gjithashtu u mundësojmë femrave Rome që të bëjnë kontrolle gjinekologjike falas. Ne plotësojmë dokumente për personat që nuk dinë të plotësojnë dokumente të caktuara, institucionet shpesh herë dinë t’ua kthejnë dokumentet sepse kanë shkruar me laps ose me stilolaps të zi”, tha Fazli.
Nikolina Kenig – Profesoreshë në Fakultetin filozofik thotë se për rastin “Dhoma Publike” kemi parë një ortek reagimesh se faji u bartet viktimave.
“Indeksi i pabarazisë në shoqëri, në krahasim me vendet e tjera të botës, tregon se jemi nën mesataren. Si ilustrim i pabarazisë gjinore, do të përmend faktin se vetëm 5 për qind e grave kanë tokë bujqësore.
Ne jemi kampiona në homofobi dhe transfobi. Homofobia gjithashtu çon në dhunë ndaj grave.
Adoleshentët tanë pranojnë normat tradicionale gjinore, ndryshe nga vajzat adoleshente në botë. “Çdo e treta e re Maqedonase ose çdo e dyta grua Shqiptare pranon t’u japë përparësi burrave,” tha Kenig.
Vesna Poposka, Dekane e Fakultetit juridik, thotë se është e guximshme të flitet sot për të drejtat e njeriut dhe të drejtat e grave.
“Unë jam gruaja e parë që doktoroj në Akademinë ushtarake, e cila është një profesion ‘mashkullor’. Barazia gjinore nuk është vetëm një numër. Nëse tashmë kemi luftuar për një sasi gjinore, duhet të luftojmë edhe për cilësinë gjinore.
Viktimat nuk kanë besim tek institucionet. Kemi parë që në negociatat për Qeverinë e re asnjë politikan apo ministër nuk ka përmendur një emër të vetëm për bashkësitë më të vogla etnike, për t’iu dhënë një funksion të caktuar. Nacionalizmi sjell sensacionalizëm dhe nuk sjell asgjë të mirë.
Ne kishim njerëz që do të fillonin një revolucion për të ndryshuar emrin e vendit, por ata kurrë nuk mund ta imagjinojnë gruan e tyre të mbajë mbiemrin e saj”, tha Poposka.
Rita Behadini nga Mollëkuqja, gazetare dhe prezantuese në Alsat M, thotë se flitet shumë pak për vajzat që ngacmohen seksualisht në internet.
“Me fushatën `Seen`, ne zbuluam se shumica e të anketuarve e njohin ngacmimin seksual. Vajzat e anketuara më së shpeshti i raportojnë familjes se ngacmohen në rrjetet sociale, pastaj vjen policia dhe një pjesë e vogël raportojnë në media apo në ndonjë OJQ”, tha Behadini.
Stojne Miteva nga Sky Plus Strumicë, thotë se po bëhemi gjithnjë e më të pandjeshëm dhe nuk flasim sa duhet për dhunën me bazë gjinore dhe atë në familje.
“Gratë viktima që kanë vendosur të denoncojnë, ndryshojnë deklaratën e tyre më në seancën e dytë. Në shkollat e mesme është e pranueshme që femrat të janë të goditura në prapanicë”, tha Miteva.
Mesazhe nga pjesëmarrëset për perspektivat në 2021
Edukimi i vazhdueshëm i të rinjve, dhe zhdukja e patriarkalitetit në shoqërinë tonë, – Dragana Gunin.
Është përgjegjësi e përbashkët e të gjithëve ne që të luftojmë që viktimat të kenë mbrojtje të plotë, – Elena Dimushevska.
Fusha e veprimit për gratë është fushë e ngushtë dhe e gjithë lufta duhet të fokusohet në përmirësimin e kushteve të grave. Gratë duhet të mbështesin njëra-tjetrën më shumë sesa të luftojnë kundër njëra-tjetrën, – tha Nora Kaliqi.
Unë do të bëj thirrje për veprim të përbashkët drejt transformimit të vlerave kulturore dhe do ta bëj të turpshme të kemi një qasje seksiste, – Nikolina Koenig.
Nëse duam ndryshim, duhet të fillojmë nga vetja, t’i mësojmë djemtë tanë të mos i rrahin të dashurat e tyre, në vend që t’i mësojmë vajzat tona të jenë të bindura, – Almira Fazli.
Institucionet të kenë drejtësi penale efektive ndaj të gjithë atyre që sulmojnë gratë, – Vesna Poposka.
Të mos heshtim për dhunën me bazë gjinore, sepse nuk është çështje private, – Stojna Miteva.
Paneli është pjesë e nismës „Perspektivat evropiane“ të cilin CIVIL-i e zbaton me mbështetjen e Ministrisë së punëve të jashtme të Republikës Federale të Gjermanisë.