Kandidatët mund të zhvillonin fushatë lirshëm dhe liritë themelore u respektuan gjerësisht në zgjedhjet lokale të Maqedonisë së Veriut, por zbrazëtirat e shumta në ligj dhe ndryshimet ligjore afër ditës së zgjedhjeve minuan stabilitetin ligjor dhe partitë më të mëdha parlamentare gëzojnë përparësi sistemore në shpërndarjen e burimeve publike për fushatë, thanë vëzhguesit ndërkombëtar nga Zyra e OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) në deklaratën e sotme.
“Ishte mirë të shihje një numër të madh të kandidatëve që zhvillonin fushatë lirshëm në të gjithë vendin,” tha Tana de Zulueta, udhëheqësja e Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve të ODIHR-it. “Por nga vëzhgimi ynë ishte e qartë se partitë më të mëdha e kanë përdorur ligjin për të krijuar një dominancë në fushën politike. Kjo e drejton sistemin në avantazhin e tyre.”
Identifikimi biometrik i votuesve u prezantua në Maqedoninë e Veriut për herë të parë në këto zgjedhje dhe derisa hapi i tillë në përgjithësi u mirëprit si masë parandaluese e mashtrimit, afati kohor për zbatimin e tij në nivel të shtetit nuk kishte ndonjë projekt pilot ose testim gjithëpërfshirës. Në ditën e zgjedhjeve, u shënuan probleme të shpeshta me pajisjet biometrike të identifikimit. Procesi i hapjes dhe votimit u vlerësua pozitivisht në të gjithë vendin, por kishte çështje të tilla si votimi në grup, si dhe gabime procedurale gjatë numërimit dhe nxjerrjes së rezultateve.
Ndryshimet në legjislacionin zgjedhor kishin mbështetje të gjerë politike, por u miratuan vetëm një muaj para zgjedhjeve, pa debat apo konsultime publike, gjë që nuk është në përputhje me praktikat e mira ndërkombëtare. Në të njëjtën kohë, administrata zgjedhore përmbushi shumicën e afateve ligjore dhe bëri përpjekje për t’u përshtatur me disa ndryshime të vonshme. Sidoqoftë, kapaciteti dhe aftësia e saj për ta kryer punën në mënyrë të pavarur u kufizua nga mungesa e stafit të përhershëm dhe vendet e papërmbushura në pozitat kryesore.
Pavarësisht një fushate zgjedhore aktive dhe përgjithësisht paqësore, debatet e bazuara në çështje u hodhën në hije nga retorika gjithnjë e më negative, e cila u drejtohej veçanërisht kandidateve. Barazia gjinore dhe të drejtat e grave kryesisht mungonin në fushatat partiake, në të cilat gratë gjithashtu mbetën të nënpërfaqësuara. Vëzhguesit vunë re gjithashtu raste të izoluara të frikësimit të kandidatëve, si dhe pretendime për presion ndaj kandidatëve për t’u tërhequr dhe për blerje të votave.
Legjislacioni zgjedhor përcakton që të gjitha mediat, përfshirë mediat online, i mbulojnë zgjedhjet në mënyrë të drejtë, të balancuar dhe të paanshme. Megjithatë, rregullimi i rreptë i programeve të lajmeve në transmetuesin publik gjatë fushatës minon pavarësinë e tij editoriale. Reklamimi i paguar në mediat transmetuese, të shkruara dhe online gjatë fushatës financohet drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht nga buxheti i shtetit dhe shpërndarja e tij siguroi një përparësi domethënëse për disa parti parlamentare në veçanti, gjë që nuk është në përputhje me praktikat e mira ndërkombëtare.
“ODIHR ka nënvizuar vazhdimisht nevojën që kuvendi të ndërmarrë një reformë gjithëpërfshirëse në legjislacionin zgjedhor të Maqedonisë së Veriut, shoqëruar me konsultime kuptimplote publike,” shtoi znj. de Zulueta. “Kjo do të mundësonte miratimin e legjislacionit të qëndrueshëm që u shërben njerëzve të këtij vendi.”
Misioni për Vëzhgimin e Zgjedhjeve i ODIHR-it në Maqedoninë e Veriut filloi punën e tij më 7 shtator me një ekip prej 16 ekspertësh me qendër në Shkup dhe përfshin gjithsej 165 vëzhgues nga 29 vende. Misioni vazhdon vëzhgimin e tij për rrethin e dytë, duke vlerësuar shkallën në të cilën zgjedhjet mbahen në përputhje me angazhimet e OSBE-së dhe standardet e tjera ndërkombëtare për zgjedhjet demokratike, si dhe me legjislacionin vendas.