Vazhdimi i bashkëpunimit të frytshëm të ndërsjellë deri më tani dhe mbështetja në interes të të dy institucioneve, por edhe ekonomitë e të dy vendeve ka për qëllim Memorandumi që sot në Shkup e nënshkruajtën guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angelovska-Bezhoska dhe homologu i saj kroat Boris Vujçiq.
Guvernatori i Bankës Popullore kroate theksoi se bashkëpunimi i të dy institucioneve ka qenë gjithmonë i mirë, por është intensifikuar pas vitit 2000. Veçanërisht, është intensifikuar me inkuadrimin e Kroacisë në BE dhe rrugën e vendit për anëtarësim në Union.
“Kroacia e mbështet inkuadrimin sa më të shpejtë të Maqedonisë në Bashkimin Evropian. Atë e bëjmë edhe në bazë politike, por, edhe përmes aktiviteteve tona si bankë qendrore”, tha Vujçiq.
Ai shtoi se të dy bankat kanë bashkëpunim të mirë edhe sipas nevojës për punë të cilat janë të rëndësishme për Bankën Popullore të Maqedonisë dhe për Bankën Popullore të Kroacisë.
Guvernatorja Angelovska Bezhoska theksoi se Banka Popullore kroate është partneri ynë i rëndësishëm dhe mbështetës i rrugës sonë drejt anëtarësimit në familjen evropiane.
Ashtu, theksoi ajo, do ta thellojmë bashkëpunimin në formë më intensive, sepse është në interes të dy institucioneve tona dhe për ekonomitë e përgjithshme të të dy vendeve.
Angelovska Bezhoska sqaroi se Banka Popullore kroate në mënyrë aktive ka mbështetur rreth 12 projekte të rëndësishme në shumë fusha të cilat janë të rëndësishme për punën qendrore bankare. Gjithashtu, theksoi guvernatorja, mbështetje jep edhe në suaza të iniciativave tjera rajonale dhe ndërkombëtare, siç është Iniciativa vjenase kryetar i së cilës është pikërisht Vujçiq, ndërsa ajo është anëtare e Bordit Drejtues.
Guvernatori i Bankës Qendrore kroate Boris Vujçiq sot qëndron për vizitë në Bankën Popullore të Maqedonisë së Veriut.