Pjesa jonë e punës rreth ligjit të shtetësisë është kryer, kanë mbetur vetëm disa intervenime teknike rreth përpilimit të ligjit dhe besoj që ditën e hënë do t’ia dorëzojmë grupit parlamentar të LSDM-së, shumicës qeveritare dhe presim eventualisht ndonjë vërejtje, tha sot në konferencën për shtyp, deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Elmi Aziri.
Aziri tha se brenda javës së ardhshme e mundur është të mbahet takim mes kryetarëve të ASH-së dhe Alternativës, Ziadin Sela dhe Afrim Gashi me kryeministrin Zaev.
“Pjesa jonë ka përfunduar, të shohim përgjigjen e tyre dhe besoj se në afat më të shkurtër do të procedohet në Kuvend. Pjesa jonë është kryer dhe ta shohim përgjigjen e tyre. Ne kemi biseduar me kryeministrin Zoran Zaev. Në takimin e parë ka qenë edhe kryetari i grupit parlamentar i LSDM-së dhe besoj se nuk është shumë e rëndësishme se kujt do t’ia dorëzojmë se fundja edhe kryeministri Zaev e përfaqëson Qeverinë, shumicën por edhe grupet parlamentare e përfaqësojnë shumicën. Me rëndësi është që ne ta dorëzojmë pjesën tonë të punës që e kemi kryer tek pala që e kemi zhvilluar diskutimin. Ditën e hënë do ta dorëzojmë draftin të cilin ne e kemi përpiluar dhe për kohë sa më të shkurtër presim përgjigje që ta procedojmë më tutje”, ka thënë Aziri.