Paketa e gjashtë e masave, me vlerë 17,8 milion euro, ka nxitur interpretime dhe reagime të ndryshme. Sipas pushtetit, është në shënjestër, me mbështetje që synon sektorët më të prekur dhe do të japë efektet e pritshme, ndërsa për opozitën, masat janë të vonuara dhe të padëshiruara.
Oda Turistike-Hotelierike (OTH) pritet sot të dale me qëndrim mbi masat, me çka dje deklaruan se ata janë ende duke analizuar masat dhe duke pritur përgjigje nga Qeveria për mënyrën, metodologjinë dhe kushtet në të cilat mund të aplikohet ndihma.
Pardje miratuam pako prej 17,8 milionë euro për një sektor për të cilin me të vërtetë vlerësojmë se është i rëndësishëm, pa kurrfarë qëllimesh të fshehura. E ofruam atë që në këtë moment shteti mund të ofrojë, vlerësoi dje zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi.
“Qëllimi është i qartë, i thënë publikisht. Dhamë një model të caktuar me të cilin do të mbështetet secili subjekt nga sektori i hotelierisë, si dhe sektori i turizmit, gjegjësisht operatorët turistikë dhe agjencitë turistike me atë që në këtë moment shteti mund të ndihmojë”, tha Bytyqi në përgjigjen e pyetjes gjatë nënshkrimit të sotëm të marrëveshjes për ndihmë shtetërore me kompaninë “Drekselmajer”.
Theksoi se me sektorin turistik hotelierik vazhdimisht kanë deklarata dhe qëllime kontradiktore nëse masat janë të mjaftueshme dhe me kohë dhe nëse i përfshijnë të gjithë.
“Konsideroj se ky është pasqyrim i asaj që komunikojmë jo mjaftueshëm. Gjithsesi ne ofruam pako të caktuar, i pashë reagimet e caktuara. Unë konsideroj se nuk ka kurrfarë qëllime të fshehura. Mbetemi në qëndrimin se të gjitha programet qeveritare në ministritë e ndryshme këtë vit orientohen drejtë përballjes me Kovid dhe në thelb nuk do të duhej t’i shihnim në mënyrë të pjesshme disa masa siç ishin masat dje, por duhet t’i shihnim në mënyrë të integruar bashkë me të gjitha programet e tjera dhe në fund të vitit do të flasim se cili është efekti”, potencoi zëvendëskryeministri.
Nëse i shohim në mënyrë të pjesshme, të gjithë do të mund të bëjmë interpretim të ndryshëm, por, theksoi, duhet t’i shohim në mënyrë integrale si masa në të cilat efekti në fund do të duket.