Ish drejtori i DSK-së Sasho Mijallkov i akuzuar në lëndën “Target-Fortesa” i cili nga e diela nuk ishte i kapshëm për organet e përndjekjes, sot pasdite doli para Prokurorisë Publike për Përndjekjen e Krimit që, siç deklaroi, ta marrë vendimin për arrest shtëpie që ia caktoi Gjykata Penale.
Mijallkov tha se nuk është arratisur, por se gjatë ditës së djeshme ka qenë në izolim për shkaqe shëndetësore. Ka pasur temperaturë të lartë dhe simptoma të koronavirusit, ndërsa për situatën e krijuar rreth tij ka mësuar sot në mëngjes. Ai u kërkoi falje qytetarëve, kryeministrit, Qeverisë dhe të gjitha institucioneve të tjera për shqetësimet e shkaktuara. Tha se nuk do të arratiset dhe mbetet në shtet.
Kryeministri Zoran Zaev, sërish, konsideron se Sasho Mijallkov ka dashur të ikë, por nuk ka pasur zgjidhje tjetër dhe e bëri atë që ishte opsion i pashmangshëm për të, të paraqitet në Prokurorinë publike për krim të organizuar dhe me atë është siguruar paraburgimi i tij.
Aksionin për sigurim të Mijallkovit, siç citoi Zaev, ai personalisht e ka koordinuar edhe me mobilizim të shpejtë të të gjitha institucioneve janë eliminuar të gjitha mundësitë që ai ta braktis shtetin.
Paralajmëroi hetim konsekuent të përgjegjësisë dhe potencon se drejtësia është siguruar dhe se ajo do të jetë e pranishme më shpesh dhe do të pasojë përgjigje e këtillë e institucioneve. Sipas Zaevit, institucionet treguan kapacitet dhe se mësojnë nga arratisja e Nikolla Gruevskit, duke potencuar se shteti nuk tërhiqet nga përpjekjet edhe për kthimin e tij para drejtësisë.
Porositi se Prokuroria dhe Gjykata paraqitjen e tij nuk duhet ta konsiderojnë si rrethanë lehtësuese, as për këtë e as për ndonjë rast tjetër, sepse nuk duhet harruar se ai nuk ishte i kapshëm për organet e drejtësisë dhe policisë.
Prokurorja Vilma Ruskoska, megjithatë, thotë se ajo që Mijallkov vetë është paraqitur në Prokurori është rrethanë lehtësuese. Nuk u përgjigj nëse do të kërkojnë dënim me burg në vend të arrestit shtëpiak, vetëm tha se do të mendojnë për atë.
Ruskoska sqaroi se Mijallkov përmes ndërmjetësuesve ka kërkuar të paraqitet pikërisht në Prokurorinë për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit, që në konsultime me prokurorin publik shtetëror Joveski, i është mundësuar.
Joveski për MIA-n konfirmoi se Mijallkovit dje pasdite i është dorëzuar vendimi për arrest shtëpiak.
Gjykata themelore publike – Shkup në propozim të Prokurorisë, gjatë fundjavës me Vendim të akuzuarit Sasho Mijallkovit i caktoi masë të arrestit shtëpiak dhe 24 orë audio dhe video mbikëqyrje.
Mijallkov u zhduk të dielën pasdite. Policia tre ditë ka hetuar pas tij, ishte shpallur urdhërarrest kombëtar, pastaj edhe ndërkombëtar, ishin kryer bastisje në objekte dhe ishin thirrur në biseda informative anëtarët e familjes së tij. Përfaq[suesit më të lartë shtetëror kërkuan të konfirmohet përgjegjësia për këtë rast, i cili siç vlerësuan, mund t’i kompromitojë përpjekjet për ballafaqim me krimin dhe korrupsionin. Opozita, sërish, akuzoi për marrëveshje mes pushtetit dhe Mijallkov kërkoi dorëheqje nga Qeveria, ndërsa për rastin u interesuan edhe SHBA-ja dhe BE-ja.
Ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski dje në konferencën për shtyp kategorikisht i hodhi poshtë spekulimet për ç’farëdo lloj marrëveshje të arratisjes së Sasho Mijallkovit Pohoi se MPB i ndërmori të gjitha masat në dispozicion për gjetjen e tij dhe se vlerësimet dhe analizat kanë treguar se ish drejtori i DSK-së, Sasho Mijallkov nuk e ka braktisur shtetin.
Kryeministri Zoran Zaev dje u bëri thirrje në mbledhje personave përgjegjës të institucioneve kompetent për zhdukjen e Mijallkovit, kërkoi ta gjejnë, si dhe të vërtetohen lëshimet eventuale.
Vërtetim të përgjegjësisë, politike dhe penale, kërkoi edhe ministrja e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska.
Ambasadorja Bërnz theksoi se SHBA-ja e ndjek situatën dhe atë se çka ndodh në terren, kanë informata edhe nga Qeveria.
Edhe BE-ja kumtoi se me kujdes e ndjekin situatën, por tani për tani nuk do të japin komente.
Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, sërish, akuzoi se Qeveria dhe kryeministri Zaev kanë bërë cirk me rastin e Sasho Mijallkovit dhe se ka marrëveshje mes pushtetit dhe ish drejtorit të DSK-së.
Sipas tij, vetëm një debat i ashpër publik mund ta parandalojë arratisjen e Mijallkovit, ndërsa jo hapat e pushtetit.
Shënon edhe se Mijallkovit nuk i është caktuar paraburgim efektiv por shtëpiak, ndërsa nuk do të ketë as hetim për arratisje. I gjithë rasti, siç citoi, nuk do të përfundojë me pranga në duar të Mijallkovit por me marrëveshje, ndërsa aktin përfundimtar do ta shohim të premten.