Besimtarët katolikë dhe një pjesë e të krishterëve ortodoksë të cilët kohën e llogarisin sipas Kalendarit gregorian, sot e festojnë Buzmin, në prag të Krishtlindjeve, lindjen e Jezu Krishtit. Tradicionalisht, në shtet, festimi qendror me rastin e festës u mbajt në Kishën katolike “Zemra e Jezusit” në Shkup, ku mbrëmë pati liturgji të shenjtë krishtlindjesh.
Në liturgji morën pjesë presidenti Stevo Pendarovski me bashkëshorten, Elizabeta Gjorgjievska, drejtori i Komisionit për marrëdhënie me bashkësitë fetare dhe grupet religjioze, Darian Sotirovski, si dhe një numër më i vogël i besimtarëve, në raport me vitet e shkuara, në pajtim me protokollet për mbrojtje nga Kovid-19.
Brenda në katedrale pati një numër të caktuar të besimtarëve dhe priftërinjve, ndërsa jashtë në oborr ishte vendosur video bim me qëllim që besimtarët të cilët nuk mundën të hyjnë brenda, ta ndjekin liturgjinë. E obligueshme ishte mbajtja e maskës dhe distanca e nevojshme mes të pranishmëve.
Peshkopi i Shkupit dhe eparku i Strumicës-Shkupit, Kiro Stojanov, duke ua uruar Krishtlindjen, besimtarëve katolikë, gjatë liturgjisë e lexoi predikimin e rastit.
Kur në jetë do të takojmë individë të cilët jetën e tyre ia kushtuar tërësisht kujdesit ndaj të tjerëve, lehtë mund të vërejmë se si, disi, edhe bota ndryshon në rrethimin e tyre. Ta kujtoijmë vetëm Nënën tonë të shenjtë, Nënën Terezë, e cila me shërbimin e saj bujar për më të varfërit, mes të varfërve e tërhoqi vëmendjen e botës, me jetën dhe veprën e saj ndryshoi gjithçka rreth vetes, krijoi atmosferë të pranisë së Zotit mes nesh.
Vëllezër dhe motra, me këto fjalë të gjithë juve ua uroj festën Lindjen e Krishtit – Krishtlindjet. Jezusi i sapolindur le të na sjellë gëzim dhe paqe, le të na shërojë nga të gjitha dhimbjet tona dhe le të na bëjë çdoherë të jemi të Tij. Amin! Krishti u lind!”, theksoi peshkopi Kiro Stojanov.
Krishtlindjet sot i festojnë edhe Kishat ortodokse greke, bullgare, rumune, ukrainase dhe gjeorgjiane, të cilat e pranuan Kalendarin gregorian. Bota tjetër ortodokse që udhëhiqet sipas Kalendarit Justinian, mes të cilëve kishat ortodokse ruse, serbe dhe maqedonase, Patriarkana e Jerusalemit, si dhe një pjesë e murgjve në Malin e Shenjtë, Krishtlindjet i festojnë më 7 janar.