Inspektorati shtetëror i punës nga Viti i Ri e këndej ka pranuar mbi 300 ankesa nga të punësuarit, në lidhje me mospagesën e rrogës së 13, ose K-15. Pjesa më e madhe e ankesave janë nga punëtorët e të cilëve u është ndërprerë marrëdhënia e punës, por e plotësojnë kushtin për të marrë regresin e pushimit vjetor sepse kanë punuar mbi 6 muaj, ndërsa pronarët e kompanive ku kanë punuar nuk e kanë kryer pagesën.
“Ende po punohet për shqyrtimin e gjithë ankesave sepse sipas dispozitave ligjore duhet t’i paralajmërojmë punëdhënësit se nëse nuk e paguajnë K-15 ta bëjnë këtë, pastaj kanë afat për ankesën e vendimit, që zgjat prej tetë deri 10 ditë dhe nëse deri atëherë nuk e respektojnë, do t’ju jepet dënim”, tha Zllate Stojanovski, udhëheqës i Marrëdhënieve të Punës të Inspektoratit Shtetëror të Punës.
Ai tha se nga kontrolli në terren ka pasur edhe situata ku të punësuarve u është paguar regres më i ulët, por ligji e lejon këtë.
“Një pjesë e ankesave janë edhe nga të punësuarit në shërbimin e veprimtarisë, ku janë institucionet shëndetësore dhe arsimore private, veprimtari sociale dhe komunale. Njoftim të tillë kemi marrë nga Organizata e Punëdhënësve”, tha Stojanovski.
Ai shtoi se ankesat i kanë pranuar nga veprimtari të ndryshme dhe nga të punësuarit e tregtisë dhe hotelerisë, por edhe nga kapacitetet prodhuese.