Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg sot porositi se nuk ka plan B për Maqedoninë, sepse vendi tani ka mundësinë e cila ndodh njëherë në jetë dhe se mund të bëhet anëtare e NATO-s vetëm nëse e pranon marrëveshjen me Greqinë.
“Besoj fuqishëm se ajo të cilën duhet ta bëjë vendi tani është që të sjellë vendime për hapat e mëtutjeshëm. Qeveria dhe Kuvendi duhet t’i sjellin këto vendime. Të vendosin, se si do të shkojnë përpara, si të reagojnë për referendumin dhe të gjitha pasojat dhe implikimet politike të cilat i solli ai”, deklaroi Stoltenberg i cili sot është për vizitë në Serbi.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s theksoi se nëse institucionet demokratike në Shkup vendosin që ta zbatojnë në tërësi marrëveshjen me Greqinë, atëherë NATO-ja është e gatshme që shpejt ta pranojë Maqedoninë si anëtaren e saj të 30-të.
“Mundet që shpejt të fillojmë me nënshkrimin e protokollit për anëtarësim, shumë shpejt pas ndryshimit të emrit. U mbetet institucioneve të zgjedhura demokratike në Maqedoni se a do ta pranojnë dhe do ta zbatojnë marrëveshjen për emrin. Ne jemi të gatshëm që ta pranojmë Maqedoninë si anëtare të re”, theksoi Stoltenberg.
Përsëriti se nuk ekziston plan B ose alternativë tjetër për anëtarësimin e Maqedonisë përveç zbatimit të marrëveshjes me Greqinë.
“Nuk ka anëtarësim pa marrëveshjen për emrin. Mënyra e vetme për anëtarësim është që vendi të merret vesh me Greqinë rreth kontestit për emrin. Për këtë ne e përshëndesim marrëveshjen ndërmjet dy vendeve”, deklaroi Stoltenberg.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s thotë se Aleanca nuk do t’i bëjë presion Maqedonisë që të sjellë vendime, sepse bëhet fjalë për vendime sovrane të një vendi sovran.
“Por kjo është mundësi që ndodh një herë në jetë. E kanë mundësinë dhe duhet ta shfrytëzojnë këtë moment historik”, porositi Stoltenberg. (MIA)