Ministria e Punëve të Brendshme i bën apel qytetarëve, partive politike dhe simpatizantëve të tyre, që gjatë ditës së nesërme t’i respektojnë ligjet, të distancohen nga prishja e rendit dhe e qetësisë dhe çfarëdo lloj prishje të fshehtësisë së votimit, siç është fotografimi apo xhirimi.
“Çdo sjellje në kundërshtim me ligjet, Ministria e Brendshme nuk do ta tolerojë dhe do të veprojë në përputhje me ligjet. Ministria e Brendshme do të ndërmarrë gjithçka që është e nevojshme që të dielën më 30 shtator qytetarët në mënyrë të qetë dhe pa pengesa ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për deklarimin e lirë të vullnetit të tyre qytetar”, thuhet në apelin e MPB-së.
Citohet se në përputhje me procedurat standarde, në MPB është krijuar dhe funksionon një shtab special operativ, i cili ka kompetencën dhe autoritetin për të ndërmarrë masa dhe aktivitete që do të garantojnë dhe mundësojnë të drejtën kushtetuese për deklarimin e çdo qytetari. (MIA)