Të gjitha vendvotimet në institucionet ndëshkuese-përmirësuese janë hapur në orën 7 të mëngjesit dhe votimi do të zgjasë deri në orën 19. Janë hapur edhe vendvotimet në përfaqësitë konsullore-diplomatike jashtë vendit dhe deri në këtë moment votimi po zhvillohet pa probleme, informoi në pres-konferencën e mesditës zëdhënësja e Komisionit Shtetëror Zgjedhor, Lupka Guguçevska.
“Në shtëpitë e tyre të drejtën e votës do ta realizojnë 1.859 votues. Në KSHZ janë dorëzuar dhjetë ankesa nga votues të cilët ishin lajmëruar si të sëmurë ose me probleme shëndetësore deri te komisionet zgjedhore komunale, por denoncimet e tyre nuk ishin pranuar. Nga ta, KSHZ pranoi tetë, ndërsa refuzoi dy ankesa”, deklaroi Guguçevska.
Deri në këtë moment deri te KSHZ-ja janë dorëzuar dy ankesa për mbrojtje të së drejtës zgjedhore personale të cilat janë refuzuar.
“Ankesat janë nga votues të cilët nuk ishin regjistruar në certifikatat e listës zgjedhore dhe janë refuzuar sepse njërit votues i është anuluar vendbanimi nga MPB-ja, ndërsa tjetri nuk kishte dokument të vlefshëm për identifikim personal”, dekalroi Guguçevska.
Theksoi se nuk kanë kurrfarë denoncime për probleme gjatë dorëzimit dhe dorëzim pranimit të materialeve për votim.
Në pyetjen e gazetarëve se si po zhvillohet votimi në diasporë dhe supozimeve për presione para vendvotimit në Australi, Guguçevska tha se janë në komunikacion të vazhdueshëm me bordet zgjedhore të cilat e zbatojnë votimin në përfaqësitë konsullore-diplomatike.
“Sipas parimit të eksteritorialitetit, kompetentët janë brenda në vendvotimin dhe ne mund zyrtarisht të flasim për ato të dhëna. Gjatë ditës, kur do të kemi informacione zyrtare, gjithsesi do të informojmë”, tha Guguçevska.
Përkujtoi se votimi realizohet duke rrethuar vetëm një nga përgjigjet e ofruara me stilograf me ngjyrë të kaltër. Pres-konferenca e ardhshme e KSHZ-së është në orën 19:30.
Me të drejtë vote në referendum në nivel shtetëror në listën zgjedhore janë regjistruar gjithsej 1.806.336 votues. Në përfaqësitë konsullore -diplomatike jashtë vendit, të drejtën e tyre të votës mund ta realizojnë 2.694 votues të cilët janë paraqitur, përderisa në 13 institucione ndëshkuese-përmirësuese janë paraqitur për votim 1.558 votues. Shtatë votues , të cilët llogaritën si të shpërngulur brenda vendit, do të mund që gjatë ditës së sotme të drejtën e tyre të votës ta realizojnë në Qendrën për persona të zhvendosur brenda vendit.
KSHZ ka ndarë akreditime për mbikëqyrje për 11.907 mbikëqyrës vendor dhe 493 mbikëqyrës të huaj, 194 përkthyes dhe 83 gazetarë të huaj. (MIA)