Kryeministri Zoran Zaev sot i pyetur për filmin “Tallja me Jezu Krishtin”, deklaroi se ka kërkuar nga ministri i Kulturës dhe drejtori i Agjencisë për film t’i parandalojnë aktivitetet e tilla në të cilat promovohet gjuha e urrejtjes.
“Nuk mund ta kthejmë kohën mbrapa, por i dhash detyrë ministrit të Kulturës të bisedojë me drejtorin e Agjencisë për film që t’i pengojnë dhe të gjejnë mënyrë ligjore për të gjitha aktivitetet e promovimit të veprave të tilla”, theksoi Zaev, duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve në Qeveri.
Ai shtoi se ajo që është financuar nga Agjencia për film në vitin 2015 është absolutisht me prapavijë politike dhe i dënoi të gjitha porositë që përhapin gjuhë të urrejtjes.
Dje edhe ministri i Kulturës Asaf Ademi në konferencë për shtyp e dënoi gjuhën e urrejtjes që e nxit filmi dhe theksoi se filmi nuk ka asnjë lidhje me përbërjen aktuale të Ministrisë.
“Pas publikimit të insertit të filmit në të cilin ushtarët e UÇK-së shfaqen si dhunues, Ministria e Kulturës sqaron për opinionin se ky film nuk ka asnjë lidhje me Ministrinë dhe përbërjen aktuale të Ministrisë, por është mbështetur nga Agjencia për filmin të Republikës së Maqedonisë në vitin 2015”, theksoi dje Ademi në konferencë për shtyp. (MIA)