Maqedonia, edhe krahas asaj që është kandidate për anëtarësim në BE dhe pretendon t’i ndjekë trendet arsimore evropiane dhe t’i harmonizojë standardet arsimore evropiane, megjithatë është në fund të vendeve evropiane sipas pjesëmarrjes së të rriturve në proceset e mësimit të përjetshëm me rreth dy e gjysmë për qind.
Maqedonia, si edhe vendet e tjera të BE-së ballafaqohet me efektet nga globalizimi, problemet e shkaktuara nga trendet demografike siç është plakja e popullatës, ndryshimi enorm i tregut të punës i shkaktuar nga zhvillimi i shpejtë teknologjik, përqindja e madhe e papunësisë, emigrimi i popullatës…E gjithë kjo e thekson nevojën për ndërtim të shoqërive të bazuara në dije, ku mësimi i përjetshëm do të jetë koncept kryesor në të cilin do të mbështetet i gjithë sistemi edukativo-arsimor dhe kultura e të jetuarit.
Në raportin e Komisionit Evropian “Arsim dhe trajnim 2020” theksohen tetë indikatorë të cilët vendet anëtare duhet t’i përmbushin deri në vitin 2020 midis të cilëve edhe indikatorin për pjesëmarrje të të rriturve me të paktën 15 për qind në ndonjërën nga format e mësimit të përjetshëm. Ky indikator është një nga treguesit se vendi është në fundin e listës së vendeve evropiane sipas pjesëmarrjes së të rriturve në mësimin e përjetshëm me rreth dy për qind.
Në fund gjenden edhe Bullgaria, Rumania, Sllovakia, Kroacia, Polonia, Greqia, ndërsa vende të cilat kanë arritur dhe tejkaluar 15 për qind janë vendet nordike Suedia, Danimarka, Finlanda, Franca, Holanda, Luksemburgu, Estonia, Austria dhe Britania e Madhe.
Profesoresha e shkencave pedagogjike Elena Rizova nga Instituti për Pedagogji në Fakultetin Filozofik në Shkup, në bisedë për MIA-n thotë se megjithatë gjatë disa viteve të kaluara në Maqedoni është bërë hap përpara me përgatitjen e “Strategjisë për mësim të përjetshëm 2017-2020”, që sipas saj duhet të paraqesë bërthamë rreth të cilës do të gravitojnë të gjithë dokumentet e tjera arsimore strategjike dhe e cila një orë e më parë duhet të miratohet nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.
“Indikator pozitiv është edhe ajo që Qendra për arsim të të rriturve numëron gjithnjë e më shumë programe të verifikuara për arsim të të rriturve nga sfera të ndryshme që u mundësojnë kuadrove me kualifikim të ulët të përfitojnë kualifikim më të lartë nga një sferë e caktuar të cilën e kanë me interes”, thotë prof. Rizova.
Potencoi edhe se çdoherë e më shumë organizatat dhe trupa joqeveritare e promovojnë mësimin e përjetshëm përmes ofrimit të programeve nga karakteri joformal të cilat kanë për qëllim ta përmirësojnë jetën dhe t’i përparojnë njohuritë dhe aftësitë e njerëzve.
“Në arsimin formal, të Fakultetit Filozofik në Shkup dhe Institutit për Pedagogji në dy programe studimore (pedagogji dhe andragogji) është përfaqësuar lënda mësim i përjetshëm dhe atë në cikël të parë, të dytë dhe të tretë të studimeve. Me atë u mundësohet profileve arsimore ta zbatojnë këtë koncept në punë praktike”, deklaroi Rizova.
Thotë se në vend qeveris mendimi se mësimi i përjetshëm është primat vetëm i njerëzve të rritur, që paraqet interpretim të gabuar të këtij koncepti. Sipas Komisionit Evropian dhe UNESKO-s, mësimi i përjetshëm kuptohet “çdo mësim i cili zhvillohet gjatë jetës së njeriut me qëllim të përmirësimit të njohurive, aftësive dhe kompetencave në mendimin personal, qytetar, social dhe të punës.
“Definimi i tillë i jep dimension më të ndryshëm, më të gjerë të mësimit jetësor i cili mund të zhvillohet në kontekst formal, joformal ose informal, duke vënë theks në kohezionin dhe përfshirjen sociale, vetërealizimin dhe qytetërimin aktiv dhe përshtatshmërinë, ndaj rrethinës së ndryshueshme të punës dhe mësimit. E zbatuar në jetën e përditshme, ajo do të vlente me përfitimin e kualifikimit të lartë të caktuar, ruajtjen e gjuhës së huaj, punën me kompjuter, por edhe fitimin e aftësive të thjeshta motorike si ngasja e biçikletës, ose vallëzimi, përgatitja e ushqimeve etj.
Sqaron se në konceptin e mësimit jetësor ndahen tetë kompetenca kyçe të cilat janë vendimtare për ndërtimin e shoqërive të bazuara në njohuri dhe pa të cilat qytetarët mund të zhvendosen në margjinat shoqërore.
“Ato janë – kompetenca për komunikim në gjuhën amë, kompetenca për komunikim në gjuhë të huaj, kompetenca matematikore dhe kompetencat bazë për shkencë dhe teknologji, kompetenca dixhitale, kompetenca për mësim se si të mësohet, kompetenca interpersonale interkulturore, sociale dhe qytetare, kompetenca për sipërmarrësi dhe kompetenca për shprehje kulturore”, theksoi ajo.
Rizova për MIA-n sqaroi se sipas konstatimeve të hulumtimeve në terren, në vend dy të tretat e personave të papunë nuk e posedojnë më shumë se gjysmën e këtyre kompetencave, ndërsa një e treta e personave të punësuar nuk i posedojnë dy prej kompetencave kryesore. Kjo, sipas saj, është informacion i habitshëm që tregon për konkurrencën e ulët në tregun e punës.
Sipas saj, mësimi i përjetshëm paraqet vazhdimësi të pafund që zgjat nga “djepi në varr” ndërsa i cili duhet të rezultojë me mësimin e njerëzve se si të mësojnë, gjegjësisht të ndërtojnë qëndrim pozitiv ndaj të mësuarit.
“Ai duhet parë si armë e fuqishme për luftë me papunësinë, përjashtimin ekonomik, social dhe kulturor dhe margjinalizimin, por edhe si aleat besnik ndaj konkurrencës, inkluzionit dhe drejtësisë sociale në të gjitha segmentet e shoqërisë. Por, për fat të keq vlerësoj se do të nevojitet shumë kohë dhe angazhim për ngritjen e vetëdijes tek njerëzit, para se mësimi i përjetshëm të kuptohet dhe pranohet në tërësi si çështje me rëndësi vitale për Maqedoninë”, thotë Rizova për MIA-n.
Vlerëson se që të përmirësohet gjendja me inkluzionin e të rinjve në ndonjërën prej formave të mësimit të përjetshëm dhe arritjen e indikatorëve të projektuar të BE-së për vitin 2020, duhet sistemi i përgjithshëm arsimor të vihet në mënyrë që ta kultivojë dhe të jetë në funksion të këtij koncepti, pasi mësimi i përjetshëm nuk është vetëm trend global, por nevojë për shoqëritë bashkëkohore.
Kjo do të thotë involvim i të gjitha subjekteve të përfshira në procesin e mësimit, angazhime më të mëdha nga institucionet shtetërore për ngritjen e vetëdijes për rëndësinë e mësimit të përjetshëm për zhvillimin personal por edhe shoqëror, si dhe intervenim sistemor në programet mësimore në arsimin fillor, të mesëm dhe të lartë me zbatimin e kompetencave kryesore për mësimin e përjetshëm.
Neda Dimova Prokiq
Foto: Darko Popov
MIA