Gjithsej katër milion fëmijë refugjatë nuk shkojnë në shkollë, citohet në raportin më të ri të Agjencisë së KB-së për refugjatë (UNHCR) për arsimimin e refugjatëve të titulluar “Ta ndërrojmë trendin – Arsimimi i refugjatëve në krizë”.
UNHCR kumtoi se numri i fëmijëve emigrantë të cilët nuk shkojnë në shkollë është për gjysmë milion më i madh në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Siç citohet, 61 për qind e fëmijëve refugjatë shkojnë në shkollë fillore në krahasim me 92 për qind e fëmijëve përreth botës, derisa vetëm 23 për qind e tyre regjistrohen në shkollë të mesme në krahasim me 84 për qind të fëmijëve në botë.
Në fakultet regjistrohen 37 për qind e të rinjve në botë, përderisa atë shans e kanë vetëm një për qind e refugjatëve, ndërsa kjo e dhënë thekson UNHCR, nuk ndërrohet në tre vitet e fundit.
Komisari i lartë i KB-së për refugjatë Filipo Grandi theksoi se pa të arsimuarit do të bëhet dëm i pakompensueshëm i të ardhmes së fëmijëve refugjatëve dhe bashkësive të tyre.
“Arsimimi është mënyrë t’u ndihmohet fëmijëve t’i shërojnë plagët, por gjithashtu ka edhe vlera kyçe për ndërtimin e atdheut të tyre”, tha Grandi.
Në Raport theksohet se duhet të bëhet më shumë me qëllim që të gjithë refugjatët të arsimohen ashtu siç e meritojnë, ndërsa vendeve të cilat pranojnë emigrantë i bëhet apel t’i kyçin fëmijët e tyre në sistemet arsimore nacionale me plane adekuate mësimore për arsim fillor dhe të mesëm.
Në dokument tregohet edhe se 92 për qind e fëmijëve refugjatë të moshës shkollore jetojnë në vende në zhvillim dhe se u nevojitet ndihmë financiare nga bashkësia ndërkombëtare.
Citohet se nga fundi i vitit 2017 në botë ka pasur më shumë se 25,4 milion refugjatë, prej të cilëve 19,9 milionë janë nën mbrojtje të UNHCR-së.
Më shumë se gjysma, përkatësisht 52 për qind, kanë qenë fëmijë prej të cilëve 7,4 milion fëmijë ishin të moshës shkollore.
“Ta ndërrojmë trendin: Arsimimi i refugjatëve në krizë” është raporti i tretë vjetor të cilin e publikon UNHCR.
I pari ishte shpallur në vitin 2016 nën titullin “Në humbje” para Samitit të Asamblesë së Përgjithshme të KB-së për refugjatë dhe emigrantë.
Raporti i dytë “Të lënë pas dore” ishte shpallur vitin e kaluar dhe në të ishte theksuar hendeku mes fëmijëve emigrantë dhe moshatarëve të tyre në shanset në arsim. (MIA)