Zyra e OSBE-së për institucione demokratike dhe të drejtat e njeriut (ODIHR) dje edhe zyrtarisht e filloi Misionin për vëzhgimin e referendumit që do të mbahet më 30 shtator. Ndërkohë Kuvendi njoftoi se 71 deputetë do të marrin pjesë aktive në fushatën “pro” referendumit, ndërsa deputeti Antonio Miloshoski ka vendosur që të bojkotojë, ndërsa VMRO-DPMNE ende taktizon dhe qëndrimin e saj përfundimtar do ta bëjë publik të mërkurën.
Shefi i Misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR, Jan Petersen tha se misioni ka mandat të qartë, në mënyrë të paanshme do të vëzhgojë tërë procesin e referendumit dhe se nuk do të përzihet në procesin e referendumit.
“Neve nuk ka interesojnë rezultatet e referendumit, por integriteti i vetë procesit”, ka thënë në pres konferencë Petersen
Misioni do të përbëhet nga ekip kryesor prej 13 ekspertëve të vendosur në Shkup dhe 20 vëzhguesve të cilët do të shpërndahen në mbarë vendin në ekipe shumëkombëshe me nga dy vetë duke filluar nga 5 shtatori. Përveç kësaj, ODIHR-i do të kërkojë nga vendet pjesëmarrëse të OSBE-së të sigurojnë 250 vëzhgues afatshkurtër të cilët do të arrijnë disa ditë para mbajtjes së referendumit.
Ekipi kryesor i vëzhguesve do të ketë përfaqësues nga SHBA-ja, Norvegjia, Rusia, Rumania, Franca, Sllovakia, Bullgaria…
Kuvendi ndërkohë njoftoi se grupet parlamentare të LSDM-së, BDI-së, PDSH-së dhe Aleancës së Shqiptarëve tashmë kanë dorëzuar njoftime se do të marrin pjesë në fushatë dhe se do të jenë “pro” pyetjes së referendumit, përderisa në orët në vazhdim pritet edhe njoftimi zyrtar nga Besa deputetët e të cilës në deklarata për mediat këto ditë, informuan se do ta mbështesin fushatën e referendumit dhe se janë “pro” pyetjes së referendumit.
“Deputeti Antonio Milloshoski, si një deputet individual dërgoi një shkresë për të marrë pjesë në fushatë me një qëndrim bojkotues, sepse ai është kundër çështjes së referendumit. VMRO-DPMNE ende nuk ka dorëzuar një njoftim, dhe sipas njoftimeve të koordinatorit të VMRO-DPMNE, kjo pritet që të bëhet publike të mërkurën”, njoftoi Kuvendi.
Siç sqarojnë nga shërbimet parlamentare, grupet parlamentare dhe deputetët individualisht nuk do të marrin mjete në dorë, por fushata do të realizohet përmes marrjes me qira të hapësirës në media adekuate proporcionalisht sipas numrit të deputetëve në grupin parlamentar.
Referendumi i caktuar për më 30 shtator dhe funksionimi i punës së Parlamentit të Maqedonisë ishin pjesë e çështjeve të cilat u hapën dje në takimin e kryetarit të Kuvendit, nënkryetarët dhe koordinatorët e grupeve parlamentare me pesë kongresmenët amerikanë.
Aktivitetet e Kuvendit në virgjile të propagandës publike për referendumin, kompetencat e Kuvendit në kryerjen e funksionit mbikëqyrës të caktuar ligjërisht dhe rregullativës ligjore në sektorin e sigurisë, me ç’rast do të sigurohet mbikëqyrje parlamentare cilësore dhe demokratike, si dhe për proceset reformuese për integrim të përshpejtuar të shtetit në NATO dhe BE, kanë qenë temat për të cilat janë interesuar kongresmenët amerikanë në takimin e djeshëm me kryetarin e Parlamentit Talat Xhaferi, nënkryetarët dhe koordinatorët e grupeve të deputetëve.
Në delegacionin e SHBA-së janë kongresmenët amerikanë Bil Flores, Dejvid Prajs, Dina Titus, Geri Konoli dhe Suzan Dejvis.
Kongesmenët, siç njofton Kuvendi , e theksuan kënaqësinë për përparimin e padyshimtë të shtetit në planin e integrimeve euroatlantike dhe në përforcimin e demokracisë, sidomos pas nënshkrimit të Marrëveshjes midis Maqedonisë dhe Greqisë, me ç’rast kanë theksuar se SHBA-ja edhe më tej do të japin mbështetje pa rezervë për Republikën e Maqedonisë në këto procese. (MIA)