Në shtator duhet të përfundojnë punët ndërtimore nga rekonstruktimi i blloqeve V dhe G të Konviktit të studentëve “Goce Dellçev”, ndërsa në gusht do të fillojë furnizimi me mobilie të reja për 18 konvikte të nxënësve në vlerë prej 50 milionë denarësh, kumtoi sot ministri i Arsimit dhe Shkencës Arbër Ademi në pres konferencën për investimet kapitale në arsim.
Ministri Ademi theksoi se përmirësimi i kushteve në konviktet e nxënësve dhe të studentëve është me rëndësi të madhe sepse në konviktet e nxënësve në vitin 2017/2018 kishte rreth 2.400 nxënës, ndërsa në konviktet e studentëve – mbi 5.500 studentë. Ministria e Arsimit dhe Shkencës, tha Ademi, merr pjesë në nivel vjetor me rreth 180 milionë denarë për strehim dhe ushqim të nxënësve dhe me 200 milionë denarë për studentët. Në këto vlera nuk hynë bursat e MASH-it – rreth 40 milionë denarë për nxënës dhe rreth 400 milionë denarë për bursa në kategori të ndryshme të studentëve.
Ademi në pres-konferencë informonte për furnizime publike për rikonstruktimin ose ndërtimin e objekteve shkollore për shkolla fillore dhe të mesme, të cilat janë publikuar në Sistemin elektronik për furnizime publike.
Kumtoi se ka nënshkruar furnizim publik për fillim ose fazën e re të rekonstruktimeve (fasada, ndryshimi i zdrukthëtarisë dhe dyshemeve dhe instalimin elektrik, vendosjen e sistemit për ngrohje dhe efikasitet energjetik, konstruktimet e çatisë, objektet sanitare…) për shatë objekte shkollore, me vlerë të përgjithshme të furnizimit prej 77.888.000 denarë.
Me të janë përfshirë objektet ndërtimore për të cilat MASH-i ishte përgjigjur pozitivisht në kërkesat dhe tashmë ka përgatitur dokumentacion teknik: SHFP “Dimkata Angellov -Gaberot” në fshatin Përzhdevë në Demir Kapi; SHFP “Josip Broz Tito” në fshatin Radozhdë në Strugë; SHF “Bashkimi” në fshatin Oktisi të Strugës; SHF”Vasill Gllavinov” në Çair; Konvikti i nxënësve të shkollës së mesme bujqësore “Koço Racin” në Shën Nikollë; SHM “Gosho Vikentiev” në Koçani dhe SHM”Gostivar” në Gostivar.
Është publikuar edhe furnizim publik shumëvjeçar për ndërtimin e objektit të ri shkollor në komunën e Studeniçanit. Janë planifikuar dhe siguruar gjithsej 55.460.000 denarë në tre vite fiskale – 2018, 2019 dhe 2020, ndërsa do të sigurohen kushte hapësinore për 300 nxënës.
Komisioni për furnizime publike të MASH-it, siç tha Ademi, ka vepruar drejt evaluimit të ofertave nga furnizimet publike për dokumentacionin teknik dhe revizion për objektin e SHFP “11 Tetori” në Novo Sellë në komunën e Bogovinës i cili u dogj plotësisht nga zjarri në tetor të vitit të kaluar. Pas përgatitjes së dokumentacionit teknik, tha Ademi, do të pasojë shpallje e furnizimit publik për realizim të punëve ndërtimore me qëllim të vendoset në funksion objekti shkollor, ku mësimin duhet ta ndjekin rreth 210 nxënës nga klasa e parë deri në klasën e nëntë.
Ministri informoi edhe për salla shkollore sportive – nga shtatori salla të reja do të kenë nxënësit e SHM “Pero Nakov” në Bedinje të Kumanovës, SHF “Todor Haxhi Tefov” në Kavadarci, SHF” Mustafa Ataturk” në Gostivar dhe SHF “Sabedin Bajrami” në fshatin Kamenjane në komunën e Bogovinës. Vazhdojnë punët ndërtimore për sallat sportive në Çashkë, Josifovë, Çerkez, Labunishtë, Shipkovicë. Për ta janë siguruar para dhe pritet të jenë të gatshme për vitin e ardhshëm shkollor. (MIA)