Maqedonia e filloi procesin e skriningut për fillimin e negociatave të Maqedonisë me BE-në, që priten të hapen në qershor të vitit të ardhshëm.
Për kryenegociator është emëruar zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane Bujar Osmani, ndërsa për negociator teknik këshilltari i kryeministrit, Bojan Mariçiq. Vendimi u mor në seancën e djeshme të qeverisë në të cilën mori pjesë edhe eurokomisari për Zgjerim dhe Fqinjësi Johanes Han, me vizitën e të cilit në Shkup edhe u zyrtarizua fillimi i skriningut.
kriningu është proces me të cilin kontrollohet niveli i gatishmërisë së vendit që të zhvillojë negociata. Çdo vend i cili është bërë anëtar i BE-së ka kaluar përmes këtij procesi. Bëhet fjalë për mbi 100.000 faqe të legjislaturës evropiane dhe standardeve të shumta teknike duke përfshirë edhe dhjetëra institucione të BE-së dhe qindra institucione të vendit me rreth 1000-2000 ekspertë kombëtarë.
Zakonisht procesi i skriningut në të gjitha fazat e tij mund të zgjatë një deri në dy vjet dhe i njëjti unifikohet për të gjitha vendet, thotë Dragan Tilev, sekretar shtetëror i SÇE-së dhe shtoi se ai i reflekton dhe specifikon të gjitha vendet në sektorë të ndryshëm, ndërsa do të marrë parasysh edhe të gjitha ndryshimet në legjislacionin evropian që mund të ndodhë ndërkohë.
Kryeministri Zoran Zaev në pres konferencën e djeshme me Han, pas seancës qeveritare deklaroi se negociatat me BE-në janë detyrë historike dhe prioritet i lartë.
“Me komisarin evropian Johanes Han i definojmë hapat e ardhshëm të skriningut dhe përgatitjen e negociatave. Konfirmuam dinamikë të përbashkët të negociatave me vendosjen e strukturës për negociata nga ana jonë dhe e tyre. Sot Han e prezantoi planin bazë për skrining, ndërsa ne sollëm konkluzione”, theksoi Zaev
Han rekomandoi se dyert e Bashkimit Evropian për Maqedoninë janë të hapura dhe se nga vetë vendi varet nëse atë do ta shfrytëzojë apo jo.
Dera drejt BE-së, tha Han, është e hapur falë prioriteteve reformuese në të cilat ka punuar Qeveria vitin e fundit, por edhe në marrëveshjet e arritura për fqinjësi të mirë me Bullgarinë dhe për emrin me Greqinë.
“Ju mbetet juve që të vendosni për të ardhmen e vendit tuaj, në një mënyrë sovrane dhe të lirë. Qytetarët duhet ta sjellin vendimin përfundimtar, ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre demokratike dhe të marrin pjesë në referendumin e ardhshëm”, theksoi Han.
Zëvendëskryeministri dhe kryenegociatori me BE-në, Bujar Osmani në seancën e Këshillit Kombëtar për Eurointegrime, në të cilën morën pjesë edhe eurokomisari për Zgjerim, Johanes Han dhe raportuesi për Maqedoninë në PE, Ivo Vajgëll, theksoi se kjo është kohë vendimesh me “V” të madhe.
“Për Maqedoninë integrimi në BE dhe në NATO është pikë e cila na lidh në vend dhe para nesh e kemi një vit që të mund të dëshmojmë se e meritojmë anëtarësimin”, porositi ai.
Theksoi se ky nuk është sukses vetëm i kësaj Qeverie, por edhe i të gjitha Qeverive paraprake dhe theksoi se vendi po shkon përpara, pasi, thotë, jemi të vetëdijshëm se vendimet tona janë të rregullta. Theksoi se nuk ka hapësirë për dilema dhe se vendi ka kapacitet për zbatimin e negociatave inkuadruese.
Kryetari i KKIE dhe anëtari i VMRO-DPMNE opozitare Nikolla Poposki sqaroi se skriningu është diagnozë, gjegjësisht shqyrtim sa jemi të harmonizuar me legjislacionin e BE-së dhe nëse kemi institucione të cilat mund t’i zbatojnë këto ligje. Sipas tij, Maqedonia ka ligje të shkëlqyera, por ka probleme me institucionet dhe vlerësoi se duhet ndryshim i mentalitetit “kemi shumicë bëjmë gjithçka që duam”.
Vajgëll theksoi se ky është moment historik për Maqedoninë dhe duhet të vlerësohet si hap i parë konkret drejt anëtarësimit në BE.
“Ky nuk është formalitet, është shans përmbajtësor për përparim. Anëtarësimi në BE dhe NATO është shans historik për Maqedoninë. Nuk do të ketë shans të dytë. Dua ta përcjell porosinë deri te ju, se nuk do të ketë shans të dytë që të zgjidhen çështjet e hapura gjë që e ngarkon procesin e inkuadrimit të Maqedonisë drejt BE-së, shumë vite pasi u bëtë kandidat për anëtarësim. Askush nuk mund të paramendojë kushte më të mira që të nisin negociatat dhe të përfundojnë ato me sukses mes Maqedonisë dhe Greqisë”, tha Vajgëll, duke i uruar kryeministrat e dy vendeve për marrëveshjen e arritur.
Ndërsa Han në fjalimin në seancën e Këshillit Kombëtar për Eurointegrime theskoi se skriningu është vetëm fillimi i një udhëtimi të gjatë.
“E rëndësishme është të demonstroni inkluzivitet dhe se bëhet fjalë për prioritete strategjike të vendit. Keni mundësi të vetme të bashkohen të gjitha forcat e ndryshme në shoqëri dhe të bëhet dallim në të mirë. Para nesh janë një numër i madh i sfidave, për atë ju inkurajoj të jeni të përqëndruar dhe të bashkuar”, porositi Han.
Sipas përvojave të mëparshme nga vendet që i janë nënshtruar këtij procesit, kapitujt 23 (Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore) dhe 24 (Drejtësia, Liria dhe Siguria) janë më të ndjeshme. Kapitulli 11 (Bujqësia dhe Zhvillimi Rural), 12 (Siguria Ushqimore, Politika Veterinare dhe Fitosanitare), 27 (Mjedisi) janë më gjithëpërfshirëse, ndërsa sfidë do të jenë edhe Kapitujt 1 (Lëvizja e Lirë e Mallrave), 8 (Politika e Konkurrencës) 19 (Politika Sociale dhe Punësimi).
Janë gjithsej 35 kapituj, por vetëm 33 kanë legjislacion specifik evropian (Acquis). Kapitulli 34 është për përcaktimin e çështjeve institucionale, ndërsa Kapitulli 35 është për “gjithçka tjetër” që nuk mbulohet nga 33 kapitujt standard.
Sipas praktikës së re të Komisionit Evropian, në negociata të parët hapen kapitujt 23 (Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore) dhe 24 (Drejtësia, Liria dhe Siguria), të cilat konsiderohen si më të ndjeshme.
(MIA)