Tetëmbëdhjetë milionë euro është investimi fillestar i kompanisë amerikane “Dura automotiv sistems” në fabrikën në Zonën Zhvillimore Industriale Teknologjike në Shkup, ndërtimi i së cilës filloi sot.
Në kapacitetin e ri që duhet të fillojë me punë nga mesi i vitit të ardhshëm për 10 vite planifikohen investime prej 38 milionë eurosh dhe 500 vende pune.
Në fabrikën, me sipërfaqe prej 16.000 metra katrorë, do të prodhohen shufra alumini të jashtme dhe mbajtëse bagazhi tavani për prodhuesit e makinave evropiane.
Majk Beket, nënkryetar i “Dura”-s theksoi se në përzgjedhjen që Maqedonia të jetë lokacioni për kapacitetin e tyre të ri prodhues vendimtare ishin aftësia e fuqisë së punës, përkrahja, angazhimi i Qeverisë së Maqedonisë si dhe infrastruktura e mirë.
“Në krahasim me zgjidhjet e tjera, Shkupi ka vlerësim superior të tërësishëm dhe është më e mira në raport të aftësisë së fuqisë së punës, angazhim nga ana e Qeverisë dhe me siguri për proces të suksesshëm të punës”, tha Beket.
Duke e prezantuar punën e “Dura”-s, Beket potencon se nga disa qendra teknologjike në Amerikën Veriore dhe Jugore dhe Evropë “Dura” zhvillon sisteme të tërësishme dhe modele për prodhuesit udhëheqës në industrinë automobilistike si “Audi”, “Folksuagen”…
Sipas kryeministrit Zoran Zaev, fillimi i ndërtimit të fabrikës “Dura” është tregues se Maqedonia me seriozitet pozicionohet si destinacion stabil dhe afatgjatë për investitorët.
“Ftesa e mëparshme për anëtarësim në NATO, fillimi i negociatave me BE-në do të rezultojnë për besim ende më të madh dhe investitorë të rinj”, tha Zaev, duke potencuar se anëtarësimi në NATO do të sigurojë siguri për investimet dhe rritjen e tyre në Maqedoni pas shembullit të shteteve të tjera si Bullgaria dhe Estonia ku pjesëmarrja e tërësishme e investimeve prej rreth shtatë për qind e BPV-së pas anëtarësimit në Aleancë është rritur në 19,8 për qind, përkatësisht 13,5 për qind.
Siç theksoi zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike Koço Angjushev, kapaciteti i “Dura”-s është investimi i nëntë amerikan në shtet të cilat mundësojnë 9.500 punësime.
“Në Republikën e Maqedonisë jemi krenarë që 40 për qind e kapitalit në zona është nga SHBA-ja” tha Angjushev, duke vlerësuar se zgjedhja e “Dura”-s, për hyrje në tregun e Maqedonisë është dëshmi se Qeveria ka politikë transparente dhe konkurruese për investitorët.
Takimi i parë me përfaqësuesit e kompanisë amerikane është mbajtur në shkurt, ndërsa pesë muaj më vonë edhe fillon realizimi i investimit të tyre, shënoi Angjushev, duke e paralajmëruar përfundimin e ndërtimit të fabrikës në fund të vitit, ndërsa nga mesi i vitit të ardhshëm fillon me punë.
Fabrika në Maqedoni është investimi i 37-të i “Dura”-s në botë dhe i 16-ti në Evropë. Kompania “Dura”, me seli në Miçigen, është themeluar në vitin 1914 dhe ka të punësuar më shumë se 9.400 persona në 14 vende të botës. (MIA)