Partneri i koalicionit në Qeverinë greke, Panos Kamenos, nuk heq dorë nga qëndrimi i tij, se Maqedonia nuk do të jetë anëtare e NATO-s, ndërsa Marrëveshja e Prespës nuk do të implementohet.
Sipas agjencisë së lajmeve greke ANA-MPA, duke folur para gazetarëve grekë në Bruksel, ministri i Mbrojtjes i cili së bashku me shefin e diplomacisë greke e shoqërojnë kryeministrin grek në Samitin e NATO-s, ka thënë se Marrëveshja e Prespës asnjëherë nuk do të zbatohet pasi ai personalisht mendon se nuk do të kalojë as në kuvend e as në referendumin tek ne.
“Mund të grumbullohen ftesa dhe të fotografohen, por në NATO nuk ka mundësi të hyjnë derisa e përdorin termin Maqedonia”, ka thënë Kamenos sipas ANA-MPA.
Lidhur me atë se kur do të mbahen zgjedhjet në Greqi, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, partneri i koalicionit në Qeveri, gazetarëve u ka thënë se nuk presin zgjedhje pasi “derisa çështja e Shkupit nuk ka ardhur në Parlament, zgjedhjet do të mbahen në fund të mandatit katërvjeçar”.
Portali informativ “In”, komentoi se një pjesë e qëndrimeve të Kamenosit janë në kundërshtim me kumtesat zyrtare, ndërsa një pjesë janë jo të sakta, njofton korrespondentja e MIA-s nga Athina.
“Kryetari i Grekëve të Pavarur, me taktikën e tij të preferuar, tentoi pakicës të cilët akoma e ndjekin, t’ua prezentojë një “realitet alternativ”. Kështu as më pak e as më shumë, në kundërshtim me kumtesën zyrtare të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, mohoi se IRJM do të integrohet në NATO me emrin “Maqedonia e Veriut” “, shkruan portali informativ grek.
“In” komenton se Kamenos, kur ka deklaruar se “marrëveshja nuk do të kalojë në Kuvendin e IRJM”, ka harruar për një detaj të vogël por jo edhe të parëndësishëm se deputetët tashmë e kanë votuar marrëveshjen.
“Në esencë, atë që e bën Panos Kamenos me pjesëmarrjen në Samitin e NATO-s është ta ratifikojë ftesën për IRJM me emrin “Maqedonia e Veriut”, duke e vënë edhe ai, në atë mënyrë, një “nënshkrim” pranë atyre të Aleksis Cipras dhe Nikos Kamenos”, publikoi portali informativ grek.
(MIA)