Katër të akuzuarit Ridvan Dervishi, Sabit Rexhepi, Halil Kamberi dhe Bulzim Biti nga Shqipëria kanë pranuar akuzën për incidentin në Recicë të Vogël, që ka ndodhur më 5 prill të këtij viti, ku edhe mbeti i vrarë Naip Rexhepi nga Kumanova, shkruan gazeta KOHA. Këta katër persona akuzohen për pjesëmarrje në rrahje. Të tjerët akuzohen për “vrasje”, “tentim vrasje” dhe “pjesëmarrje në rrahje”. Paraprakisht, Prokuroria Themelore Publike në Tetovë kishte ngritur akuzë kundër 13 personave për pjesëmarrje në incidentin e armatosur.
Gjatë seancës së parë që dje u mbajt në Gjykatën Themelore të Tetovës, të pranishëm ishin 12 persona, kurse Agron Dervishi ka qenë i pakapshëm për organet e policisë dhe ai është duke u gjykuar në mungesë. Avokati Sejfulla Osmani kërkoi masa lehtësuese dhe dënim minimal, respektivisht dënim me kusht.
“Ne kërkuam dënim me kusht për katër të akuzuarit, sepse ata kanë pranuar fajin për këtë vepër dhe ne presim që gjykata që pranojë këta fakte duke patur parasysh se bëhet fjalë për persona që gëzojnë autoritet në mesin ku jetojnë”, tha avokati Sejfullau.
Ndërkohë, seanca për të akuzuarit tjerë për rrahje Bekim Rexhepi, Driton Ferati, Florim Misimi, Bashkim Misimi, Irfan Misimi do të mbahet më 11 korrik me fillim në orën 10.
Këta të fundit gjatë seancës kanë thënë se nuk ndjehen fajtor për veprën për të cilën akuzohen. Ata u shprehën se nuk kanë gjuajtur dhe nuk kanë shtënë me armë asnjëherë në jetën e tyre.
Madje, ata theksuan se në momentin e ngjarjes, kanë ndodhur rastësisht në vendngjarje. Gjatë seancës u kërkua edhe masë lehtësuese ndaj të akuzuarve që pranuan fajin, pasi sipas tyre, ata krahas që kanë edhe biznese të tyre dhe mbajnë familje, po ashtu njëri prej tyre, Sabit Rexhepi ka humbur vëllain e tij gjatë incidentit, gjegjësisht Naip Rexhepin. Për të akuzuarit tjerë të familjes Misimi, avokati Elenko Millanov sqaroi se ata në Tetovë kanë ardhur për punë të tyre private dhe kanë ndodhur rastësisht në vendin e ngjarjes. Gjatë seancës së sotme, poashtu është vendosur që të ndahen lëndët për të akuzuarit, ndërsa për shtetasin e Shqipërisë, Lulzim Biti, është kërkuar depërtim për në Shqipëri.
Burimi: Koha.mk