“Nuk dua te flas për depresionin dhe letargjine shoqërore dhe kolektive në Maqedoni, pasi që ajo me asociacionet e lira Frojdiane më përkujtojnë Gruevskin, Amdi Bajramin, Ahmetin dhe politikanë tjerë të këtij lloji…”, u deklarua Arben Taravari, kryetari i Komunës Gostivar dhe njeriu i dytë i Aleancës për Shqiptarët, në konferencën “Perspektiva të Maqedonisë: Si deri në Evropë?”, që u mbajt dje në organizim të Civilit dhe MCMS.
“Mendoj se Maqedonia tashmë ndodhet në një rrethanë ku Evropa është kthyer në opsionin e saj të vetëm!
Gjeografikisht, ne jemi pjesë e saj, jemi vonuar shumë për të qënë pjesë e Evropës insitucionale. Kapriçot politike të ndodhura në vitet e kaluara kanë pasur një kosto të lartë sociale, ekonomike dhe pa asnjë dyshim dhe demokratike.
Por duke mos dashur të biem prè e gabimeve të së shkuarës, është momenti të shikojmë përpara dhe të kuptojmë se cilat janë benefitetet e integrimit tonë evropian.
Evropa është një kontinent ku me mund dhe përpjekje ka arritur të funksionojë si një ekip që ka në qëndër demokracinë dhe standartin e lartë të jetesës.
Këtë standard i cili provokon çdo ditë shumë djem dhe bija tonët, të cilët nëpërmjet dramës së emigrimit dëshmojnë se e duan! Dhe është krejt normale që njerëzit të zgjedhin më të mirën për veten dhe familjet e tyre. Por duhet dhënë fund ikjes, braktisjes, duhet bërë pjesë e Bashkësisë Evropiane, duke shmangur fenomenin e rëndë të emigracionit.
30 vitetet e kaluara të gjithë politikanët thonin se duan që Maqedonia të jetë pjesë e Evropës, por të jemi pjesë e Evropës është e barabartë me shkolla më të mira, me spitale më të mira, me më shumë vende pune, me paga më të mira, dhe si përfundim, me një shtet social që u jep mundësi qytetarëve të vet të zhvillohen dhe të zhvillojnë vendin e tyre.
Por si bëhemi gati ne për në Evropë?!
A ka ndonjë fjalë magjike që duhet ta themi që Evropa të na thotë – Urdhëroni, ejani?!
Po! Ka! Janë Puna dhe Ligji!
Gjithnjë jam referuar presidentit amerikan Kenedi si një nga burrat më të mënçur të historisë, nga ky zotëri do të mësoja një thënie që më ndërtoi konceptin tim mbi shtetin dhe shoqërinë, ai thoshte: mos pyet se çfarë bën shteti yt per ty, por çfarë bën ti për shtetin tënd!
Kështu ne të gjithë duhet t’i përvishemi punës, duke filluar nga politikanët e deri te individi që jeton në zonat më ekstreme të vendit. Por Ligji duhet të vlen njësoj për të gjithë edhe për Shipegovin, edhe për Merkon edhe për Taravarin! Poashtu ligji duhet të vlen njësoj, kur punohet për ndotjen e ajrit, si në Manastir, ashtu edhe në Tetovë!
Me punë duhet të ndërtojmë konceptin e Trurit Kolektiv, të punojmë ndershëm, drejtë, secila hallkë të bëj detyrën e vet per të ndërtuar një shtëpi ku secili e vë një tullë dhe një gozhdë, e ku secilit i jepet merita për punën e vet!
Duke punuar secili me dedikim për të ndërtuar shtetin e të Drejtës, e Mundësive, e Zhvillimit, ne në fakt vetëm se kemi veshur këpucët që na çojnë në Evropë.
Zotërinj, Lumturia është gjëndja shpirtërore të cilën të gjithë e synojmë në jetë. Kështu kur këngëtari i famshëm anglez, John Lennon ishte pyetur si fëmij nga mësuesja e tij, se çfarë donte të bëhej kur të rritej, ai ishte përgjigjur- dua të bëhem i lumtur. Mësuesja i kishte thënë- nuk e kuptuat pyetjen- kurse këngëtari i kishte thënë- jo mësuese, ju nuk e keni kuptuar jetën!
Lumturia nuk mund të arrihet apo ndërtojet mbi themelet e korupsionit apo qoftë edhe të mirëqënies individuale, ajo është e tillë vetëm nëse sa më shumë nga ata që të rrethojnë janë të lumtur.
Evropa na pret, ajo do ishte më e lumtur me ne, ne padyshim që do jemi shumë më të lumtur po të ishim pjesë e saj!
Para disa ditëve porosia erdhi nga BE (Bashkësia Europiane) deri te kryeministri dhe Qeveria, aty janë numëruar në mênyrë taksative dhe në mënyrë eksplicite çfar dhe si duhet bërë!
Urdhëroni z. Kryemnistër, nisni reformat dhe ndryshimet, ne jemi këtu si parti politike, edhepse opozitare, do t[u përkrahim në të gjitha hapat reformuese! Mos e lejoni veten të jeni peng i numrave dhe kombinimeve të përlyera, momentet historike kerkojne vendime të guximshme!”