Në Selanik sot do të mbahet mbledhja e katërt e Këshillit të lartë për bashkëpunim mes Serbisë, Greqisë, Bullgarisë dhe Rumanisë.
Temë e bisedave të presidentit serb Aleksandar Vuçiq, kryeministrit grek Aleksis Cipras, kryeministrit të Bullgarisë, Bojko Borisov dhe kryeministres rumune Vjorika Dançila, siç informojnë nga kabineti i presidentit serb, do të jenë projektet infrastrukturore në drejtim të lidhjes së ndërsjellë të katër vendeve dhe tërë rajonit.
Në mbledhjen paraprake të Këshillit të lartë që u mbajt në muajin prill të këtij viti, është dakorduar formimi i grupit të punës të ministrave për komunikacion, transport dhe komunikime me qëllim të konkretizimit të projekteve të dakorduara për Samitin Kina+16, i cili do të mbahet më 7 korrik në Bullgari.
Në mbledhjen e tretë të katërshes në Bukuresht është biseduar për autostradën Temishvar-Beograd, autostrada nëpër Serbi drejt Bullgarisë dhe drejt Maqedonisë, modernizimi i lidhjes hekurudhore mes katër vendeve, përforcimi i strukturës digjitale, lidhja energjetike dhe e gazit përmes Aleksandropulos në Greqi dhe Burgas në Varna dhe projekte tjera.
Në mbledhjet e Këshillit të lartë të katër vendeve është dakorduar edhe se kryesimi i Bullgarisë në gjysmën e parë të vitit 2018 dhe i Rumanisë në vitin 2019 do të jetë “kryesim i përbashkët ballkanik me BE-në”.
(MIA)