Fabrika “Jugohrom” në Tetovë nuk do të fillojë me punë derisa nuk vendosen filtrat për pluhurin, konfirmuan sot kryeministri Zoran Zaev dhe zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Koço Angjushev.
Kryeministri Zaev në mbledhje kuvendore kushtuar pyetjeve të deputetëve tha se fabrika do të fillojë me punë sapo të vendosen filtrat.
“Nuk është çështje dileme nëse do të fillojë me punë fabrika para filtrave. Atë e dinë edhe pronarët edhe të punësuarit. Ndotja është më e madhe për ta sepse jetojnë në këtë rajon”, theksoi Zaev.
Ai shtoi se puna e Jugohromit është me rëndësi për ekonominë e Maqedonisë dhe se pjesëmarrja në BPV është 0,7 për qind.
Zëvendëskryeministri i angazhuar për Çështje Ekonomike, Koço Angjushev theksoi se në interes të të punësuarve në kompani dhe të rajonit është që kombinati metalurgjik të fillojë me punë, por se kjo duhet të zhvillohet në pajtim me rregullat pozitive ligjore për mbrojtje të shëndetit të qytetarëve dhe mbrojtjes së mjedisit jetësor.
Ai sqaroi se në negociatat me pronarin e kombinatit metalurgjik dhe sindikatës së Jugohrom Alshar është nënshkruar Memorandum për bashkëpunim mes Qeverisë, kryesisë dhe sindikatës së kompanisë, me çka janë konstatuar të drejtat dhe obligimet e ndërsjellta dhe është definuar se Jugohromi do të ristartohet në atë moment kur do të fitojë leje A të integruar ekologjike për punë.
“Qeveria tregoi vullnet të mirë dhe gatishmëri për t’i ndihmuar kompanisë në procesin e ndërtimit të sistemit për pluhurin, përkatësisht të asistojë në procesin e ngritjes së kredisë së Jugohromit nga Banka e Maqedonisë për mbështetje të zhvillimit, proces në të cilin megjithatë edhe vetë udhëheqësia e kompanisë duhet të tregojë gatishmëri, të investojë plotësisht një milion euro, në mënyrë që të zgjidhet e tërë situata. Nëse në mënyrë taksative bëhen të gjitha kushtet dhe rrethanat sipas të cilave duhet të fillojë me punë Jugohromi, por ato të mos jenë në dëm të qytetarëve, Jugohromi do të punojë dhe do të kontribuojë për rajonin dhe për ekonominë, ndërsa ne si shtet dhe si qeveri do t’i ndihmojmë ta përmbushë obligimin dhe të vendosë filtra”, tha Angjushev.
Theksoi se ekonomia është e rëndësishme dhe se rajoni i Pollogut është me shkallë gjithnjë e më të ulët të punësimit, por shëndeti i qytetarëve nuk ka çmim dhe kjo është më me rëndësi, e më pas vjen ekonomia.
“Ne si qeveri do të kujdesemi edhe për njërën edhe për tjetrën. Pres që Jugohromi të jetë në funksion deri në fund të vitit, por me të gjitha ndryshimet adekuate dhe përmbushjen e të gjitha standardeve ekologjike. Prandaj, nuk ka nevojë për shqetësim për qytetarët apo për shoqatat ekologjike”, tha zëvendëskryeminsitri Angjushev.
Lidhur me atë se ka pasur kërcënime dhe shantazhe ndaj shoqatës “Eko Guerila”, kryeministri Zaev me qëndrim se nuk sheh bazë për diçka të tillë, por nëse ka, u bën thirrje që rastin ta paraqesin në MPB.
“Nuk shoh bazë përse dikush do ta shantazhonte dikë, por nëse ka nevojë për takim, menjëherë do t’i rpes. Nëse ka kërcënime, menjëherë të paraqesin në Minsitrinë e Punëve të Brendshme”, porositi kryeministri Zaev nga foltirja e Kuvendit. (MIA)