“Për Shqipërinë e rëndësishme është të bëjë detyrat e shtëpisë. Evropa po vlerëson reformat dhe përpjekjet e bëra për këto reforma”, deklaroi raportuesi për Shqipërinë në BE, eurodeputeti Knut Flekenshtajn, i cili ka mbërritur në Tiranë ku po merr pjesë në tryezën e bashkëbisedimit “Çfarë pritet nga Shqipëria pas konkluzioneve të Këshillit të BE për çështjet e përgjithshme: Pritshmëritë dhe detyrat”.
“Në Gjermani ne kemi një rregull që nuk funksionon gjatë gjithë kohës. Ky rregull është që ne, politika në Gjermani luftojmë brenda vetes sonë brenda kufirit, por që jemi unik jashtë vendit dhe në raport me vendet e tjera kërkojmë të jemi sa më të unifikuar në qëndrim. Nuk e di nëse ka vend tjetër me këtë lloj specifike, pasi çdo vend ka mënyrën e tij të funksionuari. E rëndësishme është të bashkëpunohet dhe jo të ketë përjashtim, të gjithë duhet të jemi bashkë në këtë rrugëtim”, tha eurodeputeti Flekenshtajn.
Ai, siç transmeton ATSH-ja, apeloi që “duhet një opozitë që nuk bojkoton, por që mbështet reformat”.
Eurodeputeti tha se nuk ka asnjë kusht shtesë që i është vënë Shqipërisë në rrugën e saj drejt integrimit.
Për sa i përket qëndrimit skeptik të Francës dhe qëndrimeve të presidentit Makron, Flekenshtajn tha se “vendet që nuk ishin pro Shqipërisë, nuk e kanë me Shqipërinë problemin më shume se sa me vete BE-në. Pra ato kërkojnë reformimin e BE para zgjerimit”.
(MIA)