Kryetari i Odës ekonomike të Serbisë, Marko Çadezh është zgjedhur për kryetar, ndërsa kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë, Branko Azeski për zëvendës kryetar të Forumit investues të odave të Ballkanit Perëndimor (FIO), me seli në Triestë.
Mandati i Çadezhit dhe Azeskit do të jetë katër vite.
“Zgjedhja e dyshes Çadezh – Azeski është sfidë dhe mundësi e re që të lëviz tregu rajonal dhe me këtë t’u ndihmohet kompanive që t’i shfrytëzojnë mundësitë dhe mjetet e parapara në kuadër të ‘Procesit të Berlinit’. Kompanitë e Maqedonisë me këtë fitojnë mundësi të përfshihen në projektet e Bashkimit Evropian, të cilat janë të lidhura me paraqitjen e përbashkët në tregjet e treta, për krijimin e sinxhirëve rajonalë të prodhimit dhe përshpejtimit të qarkullimit të mallrave dhe shërbimeve, çështje të cilat deri tani ishin problem serioz për rritjen e këmbimit tregtar”, thonë në Odën ekonomike të Maqedonisë.
FIO u themelua në vitin 2015, si rezultat i implementimit të konkluzioneve nga “Procesi i Berlinit” që filloi nën patroanzhin e kancelares gjermane Angela Merkel. Në korrik të vitit 2017, gjatë Samitit për Ballkanin Perëndimor në Triestë, Forumi investues i odave ka themeluar Sekretariat të përgjithshëm me seli në Triestë, Itali, ndërsa deri nga fundi i vitit, u planifikua të jetë seli e hapur dhe operative e Forumit investues së odave në Podgoricë, Mali i Zi.
Qëllimi i FIO-s është të mundësojë përfshirje më efikase të biznes bashkësisë nga rajoni në implementimin e projekteve, të cilat janë me rëndësi për prosperitetin e tij ekonomik.
(MIA)