Në Galerinë kombëtare të Maqedonisë, në objektin Hamami i Daut Pashës, sot në ora 20, do të hapet ekspozita retrospektive e Adem Kastratit.
Adem Kastrati është një nga piktorët më të rëndësishëm shqiptarë, i cili me veprat e tij ka lënë gjurmë për një kohë të kaluar, e cila nuk do të përsëritet më asnjëherë. Njëkohësisht e hapi rrugën për gjeneratat e reja të artistëve, të cilat nëpërmjet veprave të tij do të mund ta mësojnë dhe ta zbulojnë traditën e popujve të krahinave tona.
Ka lindur në fshatin kosovar të Karaçevës së Epërme, në afërsi të Vranjës. Emri i fshatit të tij të lindjes në gjuhën shqipe ka kuptimin “vrenjtësi”. Vrenjtësia, si një fenomen natyror (sipas disa nga përshkrimet e tija) do të ketë ndikim mbi zhvillimin e tij shpirtëror dhe sigurisht do të shprehet edhe në krijimtarinë artistike.
Ai i takon gjeneratës së parë të piktorëve pas Luftës së dytë botërore. Kohërat e stuhishme në të cilat është rritur, pjekur dhe formuar si piktor, sigurisht që do të lënë një gjurmë të madhe te veprimtaria e tij. Emri i tij zë një vend meritor mes artistëve figurative të cilët kanë jetuar dhe krijuar vepra në Jugosllavi. Kastrati është një prej doajenëve mes piktorëve shqiptarë në Maqedoni, shteti ku ka jetuar dhe krijuar për më tepër se dyzet vjet.
Adem Kastrati bëhet artist i famshëm me teknikën e tij specifike të pikturimit me dhe, një qasje sa origjinale, aq edhe e veçantë. Kjo mënyrë e pikturimit, ndoshta paraqet një lidhje me fëmijërinë e tij. Që në vitet e para të jetës së tij, detyrimi i tij ishte përkujdesja për dhentë e fshatit të lindjes. Në këtë mënyrë, i rrethuar me kafshët shtëpiake, natyrën e mbushur me paqe dhe gjelbërim, i lindi dhe dëshira që të luajë me të. I vetëm, por edhe me shokët, luante me baltë, degë, pemë. Kjo baltë apo dhe shumëngjyrësh me siguri e ka nxitur aq shumë, pasi nga ajo ka arritur të bëjë figura me ngjyra të ndryshme, duke u dhënë formë me anë të degëve dhe duke i lënë më pas që të thahen. Më pas i ngjyroste me furçë të bërë vetë me shumë shkathtësi nga bishti i kalit.
Pas përfundimit të arsimit të mesëm, në vitin 1954/55, Kastrati u pranua në Akademinë e vizatimit në klasën e profesorit Vangell Koxhoman. Nga ai, Kastrati mësoi teknikat e piktuës. Që atëherë, fillon një periudhë veçanërisht e pasur e krijimtarisë së tij e cila zgjat deri në fund të jetës së tij.
Krijimtaria artistike e Kastratit lidhet e tëra me tema nga vendlindja. Nga njëra ana, jeta e mbushur me vuajtje si rezultat i varfërisë dhe luftërave, por nga ana tjetër paraqitjet idilike të vendlindjes, të cilën e kujtonte nga fëmijëria e tij, jeta me familjen dhe ngjyrat dhe aromat e paharruara, të cilat i mbetën në kujtesë deri në fund të jetës.
Temat të cilat i përpunon në veprat e tij më së shumti lidhen me njeriun e zakonshëm. Një theks të veçantë i jep nënës, të cilën e paraqet si rojtare të shtëpisë. Nëna, gruaja, është ajo e cila i jep kuptim jetës, kërkon, por edhe jep ëmbëlsi, dashuri, mirësi. Meshkujt janë gjithmonë seriozë, kur punojnë, qëndrojnë ulur, lëvizin. Kjo është tradita e tyre. Folklori i pasur është padyshim prezent në krijimtarinë e tij, gjë me të cilën do të mbetet përgjithmonë i dalluar në veprat e tij dhe gjë të cilën ai e thekson akoma më tepër me anë të teknikës së tij specifike, të pazakontë dhe të vetme të dheut shumëngjyrësh.
Adem Kastrati, i cili vdiq në Shkup në vitin 2000, ka pasur shumë ekspozita të pavarura në Shkup, Ferizaj, Prishtinë, Beograd, Tiranë, Gjilan, Paris, Gjenevë, Munih, etj. Ka marrë pjesë edhe në ekspozita grupore: Lubjanë, Zagreb, Dubrovnik, Nish, Palermo, Tiranë, Paris, Arhis (Danimarkë), etj.
(MIA)