Deri në fund të vitit 2018 do të duhet të përfundohen të gjitha obligimet dhe hapat e parashikuar nga pala e Maqedonisë dhe ratifikimi në parlamentin grek dhe kuvendin e Maqedonisë, ndërsa me këtë edhe hyrjen në fuqi të marrëveshjes mes të dy vendeve, duke i komentuar burimet qeveritare greke, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Athina.
Sipas parashikimeve në këtë periudhë, deri në fund të vitit, pas nënshkrimit të marrëveshjes, së pari duhet kuvendi të japë dritë jeshile, pastaj Maqedonia të mbajë referendum, rezultati të jetë pozitiv, të bëjë ndryshime kushtetuese, ndërsa pastaj marrëveshja të arrijë për votim në parlamentin grek .
Të njëjtat burime nga qeveria greke i komentojnë përfitimet e marrëveshjes, çfarë nënkupton ajo për Greqinë dhe çfarë përmban në pika të shkurtra. Greqia do ta njohë Maqedoninë nën emrin Maqedonia e Veriut, por siç shqiptohet dhe shkruhet (në latinisht) në gjuhën maqedonase.
Në 16-të pika, të cilat i transmeton MIA, burimi i qeverisë greke shpjegon se si marrëveshja trajtohet në Greqi dhe se cilat janë përfitimet e saj për fqinjin jugor.
1. Marrëveshja korrespondon plotësisht me vijën kombëtare, që vendi tashmë 20 vjet e ka për emër të përbërë me përcaktim gjeografik për përdorim erga omnes.
2. Pranimi i erga omnes është sukses i madh diplomatik për Greqinë.
3. Emri Republika e Maqedonisë të Veriut, që nga vendi ynë do të njihet si Maqedonia e Veriut (pa përkthim në gjuhën greke), i dha fund irredentizmit që e kishte emri Republika e Maqedonisë, i cili ishte emër kushtetues i vendit.
4. Qeveria jo vetëm që arriti pranim të erga omnes, por edhe obligim për fqinjin për rishikim urgjent kushtetues.
5. Rishikimi kushtetues është fitore e madhe për Greqinë, duke pasur parasysh se nuk u kyç në linjën kombëtare në 20 vitet e fundit.
6. Marrëveshja parashikon, Greqia të bëjë ratifikim vetëm pasi të përfundojnë rishikimi kushtetues në vendin fqinj.
7. Me këtë marrëveshje e kthejmë parapa historinë tonë, simbolet dhe traditën tonë, sepse vendi fqinj në mënyrë të qartë e pranon dallimin mes grekëve maqedonas të qytetërimit të lashtë grek, gjuhën e tyre dhe zonën në të cilën jetojnë, nga njëra anë dhe populli i vendit fqinj me historinë e tyre, karakteristikat gjuhësore dhe kulturore nga ana tjetër.
8. Emri do të regjistrohet në Kushtetutën e IRJM-së me rishikimin e domosdoshëm. Paralelisht mbi 140 vende që sot njohin vendin me termin Maqedoni, do ta njohin si Maqedonia e Veriut.
9. Emri tërësisht e distancon këtë vend nga Maqedonia greke dhe tre rajonet (Lindore, Qendrore, Perëndimore).
10. Fundi i irredentizmit tashmë edhe në mënyrë zyrtare konfirmohet sepse ekzistojnë garanci në mënyrë të qartë dhe kategorike.
11. Sigurohet eliminim i të gjitha citateve irredentiste nga Kushtetuta e fqinjit tonë. Për shembull: a) zëvendësohet neni për mbështetje të mërgimtarëve të tyre me kopje të nenit adekuat në Kushtetutën greke. Në këtë kontekst, mënjanohen citatet për mbrojtje të “pakicës maqedonase” në vendet fqinje b) zëvendësohet neni për mbrojtjen e kufijve, duke eliminuar çfarëdo lloj citatesh problematike, v) mënjanohen çfarëdo lloj citatesh, madje edhe indirekte historike për pretendime irredentiste në preambulën e Kushtetutës.
12. Marrëveshja parasheh nënshtetësi/nacionalitet në Maqedoninë e Veriut të jetë Macedonian/citizen of the Republic of North Macedonia. Ky term e zëvendëson termin “Macedonian” që ishte shkruar në dokumentet e udhëtimit. Greqia do ta njohë shtetësinë si “qytetarë të Maqedonisë së Veriut”.
Ekziston dallim mes termeve shtetësi/nacionalitet (nationality) nga përkatësia etnike/kombësi(ethnicity). Sipas kësaj, marrëveshja nuk njeh komb, popull, por të drejtën e vetëvendosjes së qytetarëve të vendit fqinj.
13. Fqinjët tanë tashmë e ndërruan emrin e aeroportit, të autostradës së tyre dhe stadiumit. Do të ketë ose këmbim të përmendoreve me komunën e Selanikut, ose në rastin nëse nuk bëhet këmbimi, marrëveshja parasheh që vendi fqinj do të vendosë mbishkrime në statujat dhe përmendoret, në mënyrë që të jetë e qartë se ato janë simbole të kulturës greke (për shembull të Ushtarit mbi kalë në sheshin në Shkup do të ketë mbishkrim se i përket periudhës helenistike dhe do të shtohet se e simbolizon miqësinë mes Greqisë – IRJM).
14. Edhe përkundër faktit që gjuha Macedonian language ishte e njohur nga Greqia në suaza të KB-së, që prej vitit 1977, marrëveshja përmban formulim plotësues të qartë se i takon grupit të gjuhëve sllovene jugore, si dhe shenjë të qartë se kjo gjuhë dallon nga civilizimi antik grek dhe trashëgimia gjuhësore greko-maqedonase.
15. Të gjitha mbiemrat dhe referencat e institucioneve shtetërore dhe më të gjera publike, organizatave si dhe të organizatave mërgimtare/kulturore që financohen nga shteti do të definohen me termin “Maqedonia e Veriut”, me heqjen paralele të referencës “së Maqedonisë”.
16. Do të formohet grup pune i ekspertëve, i cili prej vitit 2019 dhe në afat prej 3 viteve do të duhet t’i zgjidhë çështjet për simbolet tregtare.
Burime qeveritare greke zbulojnë se neni 7 i marrëveshjes, ka të bëjë me atë se si dy vendet e shohin termin Maqedoni dhe fjalët e dala prej tij, përkatësisht se “palët pranojnë se perceptimi nga të dy palët i termit “Maqedoni” dhe “i Maqedonisë / maqedonas” kanë të bëjnë me kornizë të ndryshme historike dhe trashëgimi kulturore. Në nenin konkret përmendet se gjuha maqedonase i takon grupit të gjuhëve sllovene jugore.
Burime të njëjta, transmeton MIA, sqarojnë për se nevojitej tani të mbyllet kontesti shumëvjeçar mes dy vendeve, e të mos lihet për në të ardhmen.
“Zhvendosja e zgjidhjes në ndonjë moment në të ardhmen do të: çonte drejt destabilizimit plotësues të vendit (i cili vitin e kaluar kaloi krizë të rëndë) me pasoja për sigurinë e vendit tonë. Do të përforcohej roli i fuqive të treta në kufirin tonë verior. Do t’i dobësonte forcat progresive që dëshirojnë zgjidhje në vendin konkret, duke e hapur sërish rrugën për forca nacionaliste në vendin fqinj”, komentojnë burime qeveritare nga Greqia.