Republika e Maqedonisë Veriore, erga omnes, ndryshim i Kushtetutës dhe futja graduale e emrit të ri brenda vendit, ruajtja e identitetit maqedonas dhe gjuha maqedonase është ajo që përfshihet në marrëveshjen e konfirmuar dje nga kryeministrat e Maqedonisë dhe Greqisë Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras, të cilët më pas e informuan publikun në vendet e tyre se çfarë kanë arritur në përpjekjet e tyre për t’i dhënë fund mosmarrëveshjes prej 25 dekadash.
Tani pritet takimi i dy kryeministrave, që mund të mbahet këtë fundjavë në Prespën e Vogël ku pritet që të nënshkruhet marrëveshja, por ende nuk ka konfirmim zyrtar të takimit. Marrëveshja u mirëprit nga të gjithë përfaqësuesit e lartë të bashkësisë ndërkombëtare, ndërsa shefja e politikës së jashtme të BE-së Federika Mogerini njoftoi se do të udhëtonte në rajon për nënshkrimin e marrëveshjes.
Cipras dje, menjëherë pas bisedës me Zaevin, i informoi presidentin Prokopis Pavlopulos dhe udhëheqësit e partive politike, ndërsa Zaev me telefon e informoi kreun e VMRO-DPMNE Hristijan Mickoski, ndërsa sot së bashku me shefin e diplomacisë Nikolla Dimitrov do të takohet me presidentin Gjorge Ivanov.
“Angazhimi ynë në kompromis është përkufizimi i emrit të saktë për shtetin tonë, emër i cili është i dinjitoz dhe i saktë në aspektin gjeografik, Republika e Maqedonisë së Veriut, i përkthyer në të gjitha gjuhët”, informoi Zaev dje në pres konferencë.
Potencoi se marrëveshja është konfirmim për gjuhën maqedonase në Kombet e Bashkuara. Gjuha do të jetë maqedonase/macedonian pa fusnota, kombësia është maqedonase gjegjësisht qytetar i Republikës së Maqedonisë së Veriut (Macedonian/citizen of the Republic of Macedonia).
Marrëveshja, pasi që do të prezentohet para të gjitha subjekteve politike relevante në shtet, e nënshkruar nga përfaqësuesit e të dyja qeverive, pas së cilës pason ratifikimi në Kuvend.Do të shqyrtohet në seancën e qeverisë të enjten.
Pas ratifikimit Greqia do t’i dërgojë letër sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, me të cilën do ta njoftojë se midis dy vendeve nuk ka kontest dhe pengesa Maqedonia të marrë ftesë për anëtarësim.
Është paraparë Greqia t’i dërgojë letër edhe kryetarit të Këshillit Evropian, Donald Tusk, me të cilën do ta njoftojë se më nuk ka pengesa dhe rekomandohet të marrim datë për fillimin e negociatave për anëtarësim.
“Besojmë fuqishëm se Këshilli Evropian më 28 qershor do të sjellë vendim për fillimin e negociatave me Maqedoninë. Besojmë fuqishëm se në samitin e NATO-s më 12 korrik në Bruksel Maqedonia do të marrë ftesë për anëtarësim të plotfuqishëm si anëtarja e 30-të e Aleancës.
Për në vjeshtë planifikohet referendum në të cilin qytetarët do të thonë fjalën përfundimtare. Por kryministri theksoi se pavarësisht se si do të jetë referendumi i detyrueshëm apo konsultativ do të jetë i detyrueshëm për institucionet në vend.
Me ratifikimin nga parlamentet e të dy vendeve, marrëveshja bëhet e vlefshme.
Kodet online dhe kudo që parashikohet përdorimi i tyre mbeten MK dhe MKD, ndërsa në targat e automjeteve do të qëndrojnë NMK.Sa i përket mënyrës se si do të futet emri i ri për përdorim të brendshëm, Zaev sqaroi se do të përdoret duke hapur çdo kapitull.
“Për përdorim të brendshëm, do të futet duke hapur çdo kapitull jo më vonë se pesë vjet. Për shembull, kur hapni kapitullin për arsim, jo më vonë se pesë vjet, diplomat e universiteteve tona duhet të ndryshohen me emrin e ri. Një pjesë e ndryshimeve të brendshme nuk do të mund të mbulohen me kapituj, që do të thotë se ato përdoren përfundimisht me anëtarësimin e plotë në NATO”, shtoi Zaev.
Sqaroi se rreth shtrirjes së brendshme, mbiemri maqedonas do të përdoret për gjithçka që buron nga identiteti dhe gjuha, kudo do të përdoret mbiemri maqedonisht në të treja gjinitë.
Çdo gjë që lidhet me institucionet shtetërore zyrtarisht do të jetë në përputhje me emrin e ri.
“Duke pranuar ndryshimet kushtetuese, kjo do të thotë që me ndryshimin e Kushtetutës dhe ratifikimin përfundimtar të marrëveshjes në Greqi, kjo qeveri do të jetë Qeveria e Republikës së Maqedonisë Veriore, por do të flasim për qeverinë maqedonase”, tha Zaev.
I pyetur se çfarë lëshime bëri Greqia në procesin negociues, Zaev vuri në dukje se ajo pranoi identitetin maqedonas dhe gjuhën maqedonase.
Edhe Cipras marrëveshjen e vlerësoi si historik.
Pas disa muajsh bisedimesh, arritëm të arrinim një marrëveshje me kryeministrin e IRJM-së për të zgjidhur mosmarrëveshjen e gjatë për emrin e fqinjit, e filloi fjalimin e tij kryeministri grek Aleksis Cipras drejtuar opinionit publik.
Cipras, në fjalimin prej pothuajse 10 minutash, fokusua tek ajo që ishte rënë dakord midis dy palëve. Ai u shpjegoi grekëve se emri i ri do të ishte Republika e Maqedonisë Veriore “dhe ndryshimi i emrit do të zbatohet si në marrëdhëniet ndërkombëtare, ashtu edhe në ato dypalëshe, por edhe në brendësi”,duke shtuar se bëhet një dallim i qartë midis “Maqedonisë greke dhe fqinjit verior dhe me këtë i jepet fund irredentizmit në emrin kushtetues”.
Cipras tha se në Kushtetutë do të bëhen ndryshime që i referohen gjithçkaje që mund të interpretohet si irredentiste.Kryeministri grek tha se marrëveshja hap një dritare për të ardhmen, një dritare solidariteti, miqësie, bashkëpunimi, prosperiteti dhe zhvillimi mes dy popujve.
Për partitë më të mëdha të opozitës në të dy vendet, zgjidhja nuk është e mirë.
Për liderin e VMRO-DPMNE-s marrëveshja është “kapitullim”. Ai dje në pres konferencë anuloi udhëtimin dhe takimet e planifikuara për sot dhe i kërkoi kryeministrit Zoran Zaev që menjëherë t’ia dërgojë marrëveshjen me Greqinë për zgjidhjen e mosmarrëveshjes për emrin.
Ai beson se Zaev dëshiron “me kontrabandë” të futë zgjidhjen, që më parë u njoftua nga kryeministri, Republika e Maqedonisë Veriore, si zgjidhje epokale.
Ai kërkoi nga kryeministri Zaev që t’ia parashtrojë menjëherë marrëveshjen që ai ka ndërmend ta nënshkruajë duke theksuar se “kjo nuk është zgjidhja e duhur por një kapitullim”.
Ai theksoi se është e rëndësishme të bëhet dallimi se cili institucion është kompetent dhe ka autoritetin për të lidhur marrëveshje ndërkombëtare, qeveria apo presidenti i shtetit.
Për liderin e partisë opozitare grekek Demokracia e Re, Kirijakos Micotakis, marrëveshja është e keqe dhe është në kundërshtim me qëndrimin e shumicës së grekëve.
Micotakis përsëri e akuzoi kryeministrin grek për mungesë të legjitimitetit politik dhe se zhvillon një diplomacisë sekrete dhe i kërkoi atij të mos e nënshkruajë marrëveshjen.
“Për thelbin e marrëveshjes dhe në bazë të asaj që ne dimë dhe e dëgjuamtani për tani nga Cipras, duhet të them vetëm se: pranimi i gjuhës maqedonase dhe kombësisë maqedonase është një përjashtim i papranueshëm kombëtar”, tha Micotakis dhe shtoi se përparësia e tij është që me të gjithë forcat të kontribuojë që populli grek të mbetet i bashkuar.
Ai përsëriti qëndrimin e tij “ne nuk do të ndajmë grekët për të bashkuar shkupjanët” dhe i kërkoi Cipras të mos e nënshkruajë marrëveshjen.
(MIA)