Filloi dhe u anulua seanca e parë gjyqësore për rastin “Tamara” për shkak të mungesës së pesë personave të dyshuar prej gjithsej 12 për këtë rast.
Gjykata nuk ka mundur t’i gjejë ata në adresat e dhëna nga Prokuroria Themelore Publike. Për këtë arsye, në seancën e parë u caktuan vetëm avokatët e shtatë të dyshuarve të tjerë të cilët më herët kishin marrë ftesat për në gjykatë në rastin ku gjykohet vdekja e 9 vjeçares, Tamara Dimovska. Në bankën e të akuzuarve u ulën ish anëtarët e Komisionit të shkallës së parë dhe të dytë, ish drejtorët e Fondit për Sigurim Shëndetësor, të Klinikës së Fëmijëve dhe ish kryetari i Bordit Drejtues i Fondit. Avokati i familjes së Tamarës, Todor Todorov, pret njëherë e përgjithmonë zbardhjen e plotë të rastit.
“Kjo lëndë duhet të marrë një përfundim gjyqësor. Shërbimet kompetente pranë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Fondit për Sigurim Shëndetësor duhet të mbajnë përgjegjësi, sepse është më se evidente se për rastin e Tamarës janë bërë lëshime të shumta”,- tha avokati i familjes së Tamarës, Todor Todorov.
Prokuroria Themelore Publike kohë më parë filloi hetimin pas dyshimeve për trajtim joadekuat ndaj Tamarës dhe tani akuzon 12 persona për veprën penale “Punë të papërgjegjshme në shërbim”. Jashtë kësaj aktakuze të prokurorisë mbetet ish ministri i shëndetësisë, Nikolla Todorov, i cili ishte edhe pjesë e një incidenti të armatosur, kur gjyshi i Tamarës qëlloi ndaj tij, duke e cilësuar përgjegjësin kryesor në vdekjen e së mbesës, që nuk mundi të dërgohet për shërim jashtë shtetit për shkak se Fondi nuk nënshkroi vendimin për një gjë të tillë. Seanca e ardhshme gjyqësore është caktuar për më 4 korrik. (Rexhep Qamili, TVM2)
Burimi: RTM